Bideni pritet të njoftojë pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën gjatë vizitës së Zelenskyt
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet që të enjten të njoftojë një pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë të qindra miliona dollarëve, përderisa Kievi po lufton që të rimarrë territore nga forcat pushtuese ruse, sipas një zyrtari amerikan.
Njoftimi për pakon e re të ndihmës ushtarake do të bëhet në kohën e vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington, ku do të takohet me homologun amerikan në Shtëpinë e Bardhë, do të bisedojë me udhëheqës ushtarakë të ShBA-së dhe me ligjvënës demokratë e republikanë. Kjo është vizita e dytë e Zelenskyt në ShBA që nga fillimi i luftës së Rusisë ndaj vendit të tij, raporton “ABC News”.
Në pakon e re të ndihmës ushtarake do të përfshihen kapacitete shtesë për ta ndihmuar Ukrainën që ta fuqizojë mbrojtjen ajrore “para atij që pritet të jetë një tjetër dimër brutal i sulmeve ajrore ruse kundër zonave të infrastrukturës kritike ukrainase”, tha zyrtari amerikan.
Për më tepër, në pako do të përfshihen kapacitete për ta ndihmuar Ukrainën për kundërsulmin ndaj forcave ruse, përfshirë municionin e artilerisë dhe kapacitetet kundër automjeteve të blinduara, sipas zyrtarit amerikan.
Megjithatë, njëra nga sistemet e armëve që Ukraina ende e dëshiron nga Shtetet e Bashkuara është sistemi raketor me rreze të gjatë, ATACMS, dhe ka raportime se ai nuk do të jetë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake.
Kur u pyet nëse këto raportime ishin të vërteta, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se ai “nuk do të dalë para presidentit ose ndonjë gjëje për të cilin ai mund të flasë nesër (sot)”. “Siç ka thënë presidenti, (sistemi) ATACMS nuk është jashtë tavolinës”- shtoi ai.
