Rusia sulmon gjashtë qytete ukrainase, dy të vrarë e dhjetëra të plagosur
Dy persona janë vrarë në sulmet më të mëdha ruse në Ukrainë që nga 15 gushti, sipas agjencisë “Associated Press”. Të paktën gjashtë qytete u goditën nga sulmet dhe së paku 21 persona u plagosën.
Sulmet ndodhën në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, që qëlloi në të njëjtën ditë me samitin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, ku presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim dhe paraqiti një “formulë të paqes”, përcjell gazeta “The Guardian”.
Në qytetin jugor ukrainas, Kherson, afër vijës së frontit, dy persona u vranë nga sulmi i së enjtes dhe të paktën pesë të tjerë u lënduan, pasi një ndërtesë banimi u godit, sipas guvernatorit rajonal, Oleksandr Prokudin.
Shtatë persona u lënduan në Kiev, përfshirë një vajzë 9-vjeçare, raportoi kryetari i qytetit, Vitalii Klitchko, ndërsa disa ndërtesa komerciale dhe të banimit u dëmtuan.
Të paktën gjashtë sulme ndodhën në distriktin Slobidskyi të Kharkivit, duke e dëmtuar infrastrukturën civile, tha guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov. Kryetari i qytetit shtoi se dy persona janë dërguar në spital.
Shtatë persona u lënduan dhe të paktën një tjetër u shpëtua nga rrënojat në Cherkasy, në pjesën qendrore të Ukrainës, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Ihor Klymenko.
Një zonë industriale u godit në rajonin perëndimor të Lvivit, duke dëmtuar ndërtesa e duke shkaktuar një zjarr, por nuk pati menjëherë informata për ndonjë pasojë në njerëz, shtoi Klymenkoja.
Guvernatori rajonal, Vitalii Koval, raportoi për sulme në qytetin Rivne, në rajonin veriperëndimor me të njëjtin emër, pa ofruar menjëherë hollësi.
