NY Times: Dëshmitë sugjerojnë se sulmi me 16 të vrarë në Ukrainë u shkaktua nga një raketë e gabuar ukrainase
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, raportoi të martën se dëshmitë sugjerojnë që një shpërthim vdekjeprurës në një treg të ngarkuar me njerëz në qytetin lindor ukrainas, Kostiantynivka, këtë muaj ishte shkaktuar nga një raketë me drejtim të gabuar që ishte hedhur nga forcat ukrainase.
Ukraina ka thënë se shpërthimi i 6 shtatorit, kur u vranë të paktën 16 persona, ishte shkaktuar nga një raketa ruse, raporton agjencia “Reuters”.
“Dëshmitë e mbledhura dhe të analizuara nga “The New York Times”, përfshirë copat e raketës, pamjet satelitore, rrëfimet e dëshmitarëve dhe postimet në rrjete sociale, fuqishëm sugjerojnë se sulmi katastrofik ishte rezultat i një rakete të gabuar të mbrojtjes ajrore ukrainase, të hedhur nga sistemi “Buk”- raportoi gazeta amerikane.
E përditshmja citoi ekspertë të mbrojtjes ajrore të kenë thënë se raketat si ajo që ka rënë në Kostiantynivka mund të dalin nga drejtimi i planifikuar për disa arsye, përfshirë ndonjë problem elektronik ose dëmtimin e pendës së drejtimit gjatë hedhjes.
Gazeta thotë se në pamje shihet që raketa fluturoi në qytet nga drejtimi i territorit të kontrolluara nga forcat ukrainase, jo nga drejtimi i linjave ruse.
“The New York Times” gjithashtu përmendi dëshmi që tregojnë se disa minuta para sulmit, ushtria ukrainase kishte hedhur dy raketa tokë – ajër në drejtim të forcave ruse nga qyteza Druzhkivka, 16 kilometra në verilindje të Kostiantynivka-s.
Gazeta citoi dëshmitarë që kanë thënë se kishin parë raketa duke u hedhur nga Druzhkivka në drejtim të vijës ruse të frontit përreth kohës së shpërthimit në treg. Një dëshmitar citohet të ketë thënë se raketat kishin shkuar në drejtim të Kostiantynivka-s.
Më tutje, gazeta amerikane raporton se matjet e vrimave të shkaktuara nga shpërthimi dhe copat e gjetura në vendin e ngjarjes janë në përputhje me raketën e tipit 9M38, që hidhet nga sistemi raketor “Buk”.
Gazeta citoi një zëdhënës të ushtrisë ukrainase të ketë thënë se shërbimi i sigurisë ishte duke e hetuar incidentin dhe se nuk mund të komentonte më shumë për shkak të ligjeve të vendit.