Vriten pesë anëtarë të një familjeje arabe në shtëpinë e tyre në Izrael
Pesë anëtarë të një familjeje arabe u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Izrael, tha policia të mërkurën. Ky është rasti më i ri në valën e vrasjeve të ndërlidhura me krimin në komunitetet arabe të Izraelit, që ka arritur në shkallë të re këtë vit.
Vrasja e pesë personave, përfshirë një grua dhe dy adoleshentë, në qytezën veriore, Basmat Tab’un, ndodhi pas një incidenti tjetër, në të cilin u vra një burrë 50-vjeçar më herët të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.
Më shumë se 180 qytetarë arabë në Izrael janë vrarë nga dhuna e lidhur me krimin nga janari – niveli më i lartë i vrasjeve në shtatë vjet – në një varg vrasjesh që kanë vazhduar pa u kontrolluar, duke nxituar akuza se qeveria nacionaliste e religjioze e kryeministrit Benjamin Netanyahu po e shpërfill gjakderdhjen.
“Izraeli i ka aftësitë, qeveria izraelite kupton se çfarë ka nevojë të bëhet, secili kupton se çfarë duhet të bëhet, thjesht nuk ka vullnet dhe nuk ka lidership”- tha Mansour Abbas, udhëheqës i njërës prej partive që e përfaqësojnë pakicën arabe të Izraelit.
Kryetarët arabë të qyteteve i kanë akuzuar qeverinë dhe policinë për shpërfillje të qëllimshme të komuniteteve të tyre dhe se u kanë mundësuar kriminelëve që të veprojnë pa u ndëshkuar. Ata kanë refuzuar që të punojnë me ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili ka pikëpamje të së djathtës ekstreme dhe i cili në të kaluarën është dënuar për përkrahje të terrorizmit dhe nxitjeve kundër arabëve. Kryetarët arabë kanë kërkuar që në këtë çështje të ndërhyjë vetë kryeministri Netanyahu.
Kur Izraeli po ballafaqohet me krizën më të rëndë politike në disa dekada për shkak të planit të Netanyahut për reforma në drejtësi, qytetarët arabë thonë se kolapsi i sigurisë personale në komunitetet e tyre duhet të marrë më shumë vëmendje të qeverisë.
Ministri Ben-Gvir, i cili nuk e komentoi menjëherë incidentin e së mërkurës, i ka mohuar akuzat për mosveprim. Ai ka thënë se luftimi i krimit ka vend të rëndësishëm në axhendën e tij dhe se policia i ka shtuar aktivitetet për shkatërrimin e krimit, përfshirë konfiskimin e armëve dhe fondeve nga grupet kriminale.
Zëdhënësi i policisë, Eli Levi, para gazetarëve të mërkurën në vendin e krimit tha: “Si polici, ne do të bëjmë gjithçka për t’i kapur vrasësit.”
