Vriten nga sulmi izraelit në Gaza fotoreporteri Ismail Abu Hatab dhe artistja Frans al-Salmi - NACIONALE

Vriten nga sulmi izraelit në Gaza fotoreporteri Ismail Abu Hatab dhe artistja Frans al-Salmi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dëshmitarët i kanë përshkruar pasojat e përgjakshme të një sulmi izraelit ndaj një kafeneje të mbushur me njerëz në Gaza, ku u vranë të paktën 24 e u plagosën shumë njerëz të tjerë.

Kafeneja “Al-Baqa”, e cila ndodhet afër limanit në Qytetin Gaza, ishte pothuajse plot në pasditen e hershme të së hënës, kur u godit nga një raketë, raporton gazeta “The Guardian”.

Në mesin e të vrarëve, ku përfshiheshin shumë gra, fëmijë e të moshuar, ishte edhe fotoreporteri palestinez, Ismail Abu Hatab, dhe artistja Frans al-Salmi, e cila punimet e saj i ka shfaqur edhe në skenën ndërkombëtare.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të martën se ishin duke e analizuar sulmin, për të cilin thanë se goditi “disa terroristë të Hamasit në pjesën veriore të Rripit të Gazës”.

Abu al-Nour, 60 vjeç, tha se kishte dalë nga kafeneja për të marrë bukë dhe po kthehej, kur ndodhi sulmi.

“Mu kur isha afër, ra një raketë. Copëzat e predhës ranë kudo dhe vendi u mbush me tym e me erën e barutit. Nuk mund të shihja asgjë. Vrapova drejt kafenesë dhe gjeta gjithçka të shkatërruar. Hyra brenda dhe pashë trupa të shtrirë në tokë. Të gjithë punëtorët e kafenesë ishin vrarë” – i tha ai gazetës britanike.

“Aty ishte një familje me fëmijë të vegjël – pse u vunë në shënjestër ata? Ishte një vend ku njerëzit vinin për të gjetur ca lehtësim nga presionet e jetës” – shtoi palestinezi al-Nour.

Kafeneja dhe restoranti deri më tani u kishin mbijetuar më shumë se 20 muajve luftë dhe ofronin pak pushim nga dhuna e pamëshirshme e konfliktit./Nacionale

Lajme të ngjashme