Vrasja e 15 punëtorëve të shpëtimit në Gaza, Izraeli e shkarkon nënkomandantin e Brigadës Golani - NACIONALE

Vrasja e 15 punëtorëve të shpëtimit në Gaza, Izraeli e shkarkon nënkomandantin e Brigadës Golani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite ka pranuar se janë bërë disa “dështime profesionale” dhe një shkelje e urdhrave në vrasjen e 15 punëtorëve të shpëtimit në Gaza muajin e kaluar dhe tha se do të shkarkonte një nënkomandant përgjegjës për rastin.

Të shtënat vdekjeprurëse në drejtim të tetë punëtorëve emergjentë të Gjysmëhënës së Kuqe, gjashtë punëtorëve të mbrojtjes civile dhe një pjesëtari të OKB-së nga trupat izraelite, përderisa ata po kryenin një mision shpëtimi në jug të Gazës mëngjesin e 23 marsit, kishte nxitur zemërim ndërkombëtar dhe thirrje për një hetim për krime lufte, raporton gazeta “The Guardian”.

Trupat e tyre ishin zbuluar disa ditë pas të shtënave, të varrosur në një varr masiv me rërë krahas automjeteve të tyre të shtypura. Kombet e Bashkuara kanë thënë se punëtorët ishin vrarë “një nga një”. Izraeli fillimisht kishte pretenduar se automjetet e punëtorëve emergjentë nuk i kishin të ndezura sinjalet emergjente, kur trupat kishin shtënë, por më vonë kishte hequr dorë nga kjo narrativë, pasi një video e incizuar në telefonin e njërit prej punëtorëve e tregoi të kundërtën.

Të dielën, ushtria izraelite tha se me anë të një hetimi kishte “identifikuar disa dështime profesionale, shkelje të urdhrave dhe një dështim për ta raportuar në mënyrë të plotë incidentin”.

Si rezultat, nënkomandanti i Brigadës “Golani” i ushtrisë izraelite “do të shkarkohet nga pozita për shkak të përgjegjësive të tij si komandant fushor… dhe për ofrimin e një raporti të paplotë e të pasaktë gjatë marrjes në pyetje”.

Një komandant tjetër, njësiti i të cilit ishte në operim në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku ndodhi vrasja e punëtorëve të shpëtimit, do të censurohet për “përgjegjësinë e tij të përgjithshme për incidentin”, shtoi ushtria izraelite.

Pavarësisht nga pranimi i gabimeve, në raport nuk rekomandohet ndërmarrja e veprimeve penale kundër njësiteve ushtarake që janë përgjegjëse për incidentin dhe nuk u gjet ndonjë shkelje e kodit të etikës të ushtrisë izraelite.

Të gjeturat e raportit tani do t’i dërgohen kryeavokatit ushtarak. Ministri i Sigurisë i Izraelit, i cili njihet për qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir, e quajti “gabim të rëndë” vendimin e komandantit të ushtrisë izraelite për shkarkimin e nënkomandantit përgjegjës të brigadës.

Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës i kundërshtoi të gjeturat. “Raporti është plot me gënjeshtra. Ai është i pavlefshëm dhe i papranueshëm, pasi i justifikon vrasjet dhe e zhvendos përgjegjësinë te gabimi i një personi në komandën fushore, kur e vërteta është goxha ndryshe” – tha zëdhënësja e Gjysmëhënës së Kuqe, Nebal Farsakh.

Edhe disa avokatë të të drejtave të njeriut e vunë në pikëpyetje hetimin, duke theksuar se ai ishte zhvilluar nga vetë ushtria izraelite e duke pretenduar se nuk ishte i pavarur./Nacionale

Lajme të ngjashme