Von der Leyen në Ukrainë: Kievi sot është zemra e vlerave evropiane - NACIONALE

Von der Leyen në Ukrainë: Kievi sot është zemra e vlerave evropiane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Ukrainë, ka thënë se për të është nder dhe privilegj që ndodhet në këtë shtet për të festuar për paqen dhe unitetin në Evropë, për t’i kujtuar mësimet e historisë dhe për t’u zotuar për një të ardhme më të mirë.

“Prandaj është shumë e përshtatshme që të jem këtu në Kiev për ta festuar 9 Majin”- tha ajo, duke shtuar se Kievi sot është zemra e vlerave evropiane, raporton televizioni BBC.

Sipas zyrtares së lartë të BE-së, Ukraina është duke luftuar për idealet e Evropës për të cilat evropianët festojnë sot.

“Putini dhe regjimi i tij i kanë shkatërruar këto vlera dhe tash ata po mundohen që t’i shkatërrojnë ato këtu në Ukrainë”- tha zonja Von der Leyen, duke shtuar se “agresori tashmë ka dështuar në mënyrë dramatike”, duke iu referuar Rusisë.

Ajo e përmendi faktin e angazhimit të të burgosurve rusë për të luftuar në Ukrainë, duke thënë se ata janë tërhequr zvarrë nga burgjet për të luftuar në emrin e Rusisë.

Fryma e Ditës së Evropës është solidariteti dhe Zelensky mund të llogarisë në këtë solidaritet nga BE-ja aq gjatë sa të jetë e nevojshme, shtoi zyrtarja e lartë evropiane.

Sipas saj, sanksionet kundër Rusisë janë duke funksionuar dhe se Evropa i ka pakësuar importet nga Rusia për gati dy të tretat, duke ia parandaluar Moskës marrjen e rrjedhjeve jetike të të ardhurave.

Kur u pyet për përparimin që e ka bërë Ukraina për të zbatuar shtatë hapa – grup reformash që duhet t’i zbatojë si kandidate për anëtarësim në BE, zonja Von der Leyen tha: “Pavarësisht nga një luftë e plotë, është mbresëlënëse që të shohësh se Ukraina është duke punuar fort, në mënyrë të palodhshme e intensive për shtatë hapat. Shumë përparim është bërë, por puna duhet të vazhdojë.”

Lajme të ngjashme