Guterresi beson se bisedimet e paqes për Ukrainën nuk janë të mundshme tash për tash - NACIONALE

Guterresi beson se bisedimet e paqes për Ukrainën nuk janë të mundshme tash për tash

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se nuk sheh mundësi të menjëhershme për të arritur armëpushim gjithëpërfshirës në luftën e Ukrainës, sepse të dyja palët janë të bindura se mund të fitojnë.

Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais” të martën, zyrtari i lartë i OKB-së tha se Kombet e Bashkuara janë duke u përqendruar në bisedime me Ukrainën e Rusinë për të zgjidhur probleme kyçe, si zgjatja e afatit të marrëveshjes për eksportimin e drithërave, e cila mbaron më 18 maj, raporton agjencia “Reuters”.

“Fatkeqësisht, unë besoj se në këtë fazë, biseda për paqe nuk është e mundshme. Të dyja palët janë të bindura se mund të fitojnë. Për momentin, nuk shoh ndonjë mundësi për të arritur menjëherë – nuk po flasim për të ardhmen - një armëpushim gjithëpërfshirës, një bisedë për paqe”- tha ai.

Forcat ruse kryen një sulm të ri ndaj Ukrainës të martën, përderisa Rusia e festoi përvjetorin e fitores kundër Gjermanisë naziste më 1945. Sipas zyrtarëve ukrainas, Ukraina i ka shkatërruar 23 nga 25 raketat e hedhura nga armiku, kryesisht drejt kryeqytetit Kiev.

Kur u pyet për përpjekjet për ndërmjetësim nga Kina ose nga presidenti brazilian, Guterresi theksoi se arritja e paqes në konflikt nuk mund të ndodhë për momentin, edhe pse tha se shpreson që kjo do të bëhet në të ardhmen.

Ai e çmoi qëndrimin e Kinës kundër eskalimit bërthamor, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm për të shmangur ndonjë tundim që do të ishte “absurditet i patolerueshëm”.

Tensionet bërthamore janë rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë ka paralajmëruar se vendi i tij është i gatshëm që ta përdorë arsenalin bërthamor, nëse është e nevojshme, për ta mbrojtur integritetin territorial.

Lajme të ngjashme