ShBA-ja pritet që sot ta njoftojë pakon e re të ndihmave prej 1,2 miliard dollarësh për Ukrainën - NACIONALE

ShBA-ja pritet që sot ta njoftojë pakon e re të ndihmave prej 1,2 miliard dollarësh për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara pritet që të martën të njoftojnë një pako prej 1,2 miliard dollarësh për Ukrainën, sipas një zyrtari amerikan të afërt me këtë çështje, raporton televizioni CNN.

Pakoja e re vjen në një periudhë kritike, kur Ukraina po përgatitet për të nisur një kundërsulm ndaj forcave pushtuese ruse.

Në pakon e re do të përfshihen dronë, municion artilerie dhe raketa për mbrojtje kundërajrore si dhe armë të tjera, tha zyrtari amerikan.

Kjo pako do të sigurohet përmes Nismës për Asistencë të Sigurisë për Ukrainën, që do të thotë se do të kontraktohet dhe armët do të blihen nga prodhuesit e nuk do të tërhiqen drejtpërdrejt nga rezervat e Departamentit të Mbrojtjes.

Në vend të furnizimit të Ukrainës me armë që i nevojiten tash për tash, synimi i pakove të Nismës për Asistencë të Sigurisë për Ukrainën është që të ndërtojnë furnizim afatmesëm e afatgjatë për vendin e përfshirë nga lufta.

Javën e kaluar, Pentagoni e njoftoi pakon e 37-të të ndihmave për Ukrainën që nga gushti i vitit 2021. Në pakon 300-milionëshe përfshihen municioni shtesë për sistemin raketor HIMARS e artilerinë, municioni për tanke, armët kundërtank si dhe armë të tjera.

Lajme të ngjashme