Ukraina thotë se ka rrëzuar 23 raketa ruse me vetëdrejtim
Forcat Ajrore të Ukrainës kanë thënë përmes një deklarate se 23 nga 25 raketat me vetëdrejtim të hedhura nga Rusia gjatë natës janë penguar nga sistemi mbrojtës.
“Në përgjithësi, gjatë dy valëve të bombardimit të Ukrainës në natën e 9 majit 2023, pushtuesit rusë hodhën 25 raketa me vetëdrejtim të llojeve “Kalibr” dhe X-101/X-555”- thuhet në deklaratë, ku shtohet se 23 raketa të hedhura nga deti dhe ajri janë shkatërruar, raporton televizioni CNN.
Ushtria ukrainase paralajmëroi këtë javë se Rusia ishte duke u munduar që ta dobësonte mbrojtjen ajrore të Ukrainës para kundërsulmit të paralajmëruar ukrainas.
Copat e një rakete të rrëzuar ranë në një oborr privat në distriktin Holosiivskyi të Kievit, tha të martën kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitaly Klitschko. Sipas tij, nuk pati dëme dhe askush nuk u lëndua, duke shtuar se ekspertët e objekteve shpërthyese dhe punëtorët e shërbimeve urgjente ishin duke punuar në vendin e ngjarjes.
Sulmet e penguara të martën ndodhën pasi Klitschko-ja tha se sulmet ruse të hënën herët e shënuan sulmin më masiv me dronë ndaj kryeqytetit.
