Virologët shprehen të shqetësuar për nënvariantin e ri të Covid-it, Centaurus
Virologët janë shprehur të shqetësuar për shfaqjen e një nënvarianti të ri të variantit Omicron, që po përhapet shpejt në Indi dhe tashmë ka arritur edhe në Britaninë e Madhe.
Paralajmërimi erdhi pas thirrjes së deputetëve britanikë për dyfishim të përpjekjeve për të bindur gati tre milionë persona të rritur në Angli, që nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës kundër Covid-10, që ta bëjnë këtë.
Nënvarianti BA.2.75, që i është lënë edhe emri “Centaurus”, u zbulua së pari në Indi në fillim të majit. Numri i rasteve në Britani është rritur shpejt, qartazi më shpejt se shifra e rasteve me variantin shumë ngjitës, BA.5, që gjithashtu është i pranishëm në Indi, dhe shpejt po e zëvendëson variantin dikur mbizotërues, BA.2, në shumë vende.
Nënvarianti BA.2.75 është shënuar edhe në rreth dhjetë shtete të tjera, përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Kanadanë, shkruan “The Guardian”, përcjell Gazeta Nacionale.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve e cilësoi atë “variant nën vëzhgim” më 7 korrik, duke lënë të kuptohet se ka ca shenja se ai mund të jetë më ngjitës ose i lidhur me sëmurje më të rëndë, por dëshmitë janë të dobëta ose nuk janë vlerësuar ende.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke e vëzhguar për së afërmi nënvariantin e ri, ndonëse kryeshkencëtarja e kësaj organizate, Dr. Soumya Swaminathan, tha se ende nuk ka mostra të mjaftueshme për ta vlerësuar ashpërsinë e tij.
Përpos rritjes së shpejtë dhe përhapjes së gjerë gjeografike, virologët janë alarmuar edhe nga numri i madh i mutacioneve që ky nënvariant i ka. “Kjo mund të nënkuptojë se nënvarianti e ka pasur mundësinë që të zhvillojë një përparësi në krahasim me linjën tashmë të suksesshme të virusit”, tha Dr. Stehphen Griffin, virolog në Universitetin e Leeds-it.
“Nuk ka të bëjë aq shumë me mutacionet në vete, më shumë me numrin, kombinimin”, tha Dr. Tom Peacock, virolog në Kolegjin Imperial të Londrës, i cili ishte i pari që e identifikoi Omicron-in si shqetësim, në nëntorin e vitit të kaluar. “Është vështirë që të parashikohet efekti i paraqitjes së shumë mutacioneve së bashku – kjo i jep virusit njëfarë terreni ku shuma e pjesëve mund të jetë më e keqe se pjesët veç e veç”, shtoi ai.
Edhe nëse nuk përhapet në shtete të tjera, rritja e këtij nënvarianti në Indi lë të kuptohet se atje do të jetë problem, tha Peacock.
Deri në fund të majit, 2.98 milionë të rritur në Angli nuk ishin të vaksinuar, ndërsa 1.5 milion njerëz e kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19. Shumë persona të pavaksinuar janë banorë të rinj qytetesh, por shkallë e ulët e vaksinimit është vërejtur edhe te shtatzënat.