“Vendim shumë i keq”, nëse Hezbollahu bëhet pjesë e luftës Iran – Izrael, thotë zyrtari amerikan
Një zyrtar i lartë amerikan që e vizitoi të enjten kryeqytetin libanez, Bejrut, e shkurajoi grupin e përkrahur nga Irani, Hezbollah, nga ndërhyrja në luftën mes Iranit e Izraelit, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte “vendim shumë i keq”.
Emisari i posaçëm i ShBA-së për Sirinë, Thomas Barrack, i cili gjithashtu shërben si ambasador në Turqi, u takua me zyrtarë libanezë në Bejrut, në kohën kur Irani e Izraeli shkëmbyen sulme të reja dhe kur Uashingtoni po e shtyn Libanin që ta çarmatos Hezbollahun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pasi u takua me kryetarin e Kuvendit të Libanit, Nabih Berri, aleat i ngushtë i Hezbollahut, Barrack-u u pyet se çfarë mund të ndodhë, nëse Hezbollahu bëhet pjesë e konfliktit rajonal.
“Unë mund të them në emër të presidentit Trump, i cili ka qenë shumë i qartë në të shprehur, njësoj si emisari i posaçëm Witkoff: ai do të ishte një vendim shumë, shumë, shumë i keq” – tha ambasadori amerikan në Turqi para gazetarëve.
Hezbollahu i ka dënuar sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe ka shprehur solidaritet të plotë me udhëheqjen në Teheran. Të enjten, grupi libanez tha se kërcënimet ndaj liderit suprem të Iranit, Ayotollah Ali Khamenei, do të kishin “pasoja të rënda”.
Megjithatë, Hezbollahu nuk ka bërë kërcënime të hapura për ndërhyrje në konflikt. Pasi Izraeli i nisi sulmet ndaj Iranit javën e kaluar, një zyrtar i Hezbollahut i tha agjencisë “Reuters” se grupi nuk do ta niste sulmin e vet ndaj Izraelit si kundërpërgjigje.