Vdes piloti gjatë një fluturimi nga ShBA-ja për në Stamboll
Një pilot i kompanisë “Turkish Airlines” ka vdekur, pasi pësoi probleme shëndetësore gjatë një fluturimi që po e drejtonte nga qyteti Seattle i Shteteve të Bashkuara drejt Stambollit në Turqi.
Kapiten Ilcehin Pehlivan, 59 vjeç, mbeti pa ndjenja gjatë fluturimit, ndërsa piloti i dytë dhe një bashkëpilot e morën nën kontroll drejtimin e aeroplanit, tha një zëdhënës i kompanisë ajrore, raporton televizioni BBC.
“Kur ndihma e parë për kapitenin tonë në aeroplan ishte e pasuksesshme, ekuipazhi drejtues… vendosi që të bënte aterrim emergjent, por ai vdiq para aterrimit” – shpjegoi zëdhënësi Yahya Ustun.
Ai shtoi se aeroplani i tipit “Airbus A350” aterroi në Nju-Jork dhe pastaj u bënë plane për dërgimin e pasagjerëve në Turqi nga qyteti i njohur amerikan.
Fluturimi TK204 u nis nga qyteti Seattle pak pas orës 19:00 të martën në mbrëmje. Dukej se piloti kishte filluar të kishte problem gjatë fluturimit me aeroplan mbi territorin kanadez, Nunavut, para se kolegët e tij e morën kontrollin dhe u nisën për në aeroportin “John F Kennedy”.
Piloti Pehlivan punonte për kompaninë “Turkish Airlines” që nga viti 2007 dhe i ishte dhënë drita e gjelbër e kontrollit të rregullt shëndetësor në mars, kur nuk i ishin zbuluar probleme që mund ta preknin punën e tij, tha kompania ajrore.
Shoqata e kontrollorëve ajrorë të Turqisë, TATCA, tha se ai kishte shërbyer në komunitetin e aviacionit për shumë vjet dhe iu shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.
Shkaktari i vdekjes së pilotit nuk është publikuar. Pilotët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore një herë në vit, ndërsa ata që janë mbi moshën 40-vjeçare duhet ta përtërijnë certifikatën mjekësore çdo gjashtë muaj./Nacionale