Vazhdon gjykimi i francezit të akuzuar për angazhimin e 50 burrave për t’ia përdhunuar gruan - NACIONALE

Vazhdon gjykimi i francezit të akuzuar për angazhimin e 50 burrave për t’ia përdhunuar gruan

1 javë më parë

nga NACIONALE

Hollësi shqetësuese janë zbuluar gjatë gjykimit të një burri francez të akuzuar për angazhimin e dhjetëra njerëzve të panjohur për t’ia përdhunuar gruan e droguar. Vajza e çiftit u largua përkohësisht nga salla e gjykimit, pasi u kaplua nga emocionet.

Rasti kundër 71-vjeçarit Dominique Pelicot e ka tmerruar Francën, pasi dyshimet ishin shpërfaqur rastësisht, kur ai ishte kapur duke incizuar funde të grave në një shitore, raporton gazeta “The Guardian”.

Në gjykimin që po zhvillohet në qytetin jugor të Francës, Avignon, dhe që pritet të përmbyllet në dhjetor, po trajtohen akuzat kundër tij dhe 50 burrave të tjerë që dyshohet se ishin rekrutuar përmes internetit për t’ia abuzuar bashkëshorten.

Gruaja e të akuzuarit, Gisele Pelicot, është duke marrë pjesë në seanca, për të cilat ka kërkuar që të jenë të hapura për publikun. Në gjykim po marrin pjesë edhe e bija dhe dy bijtë e çiftit.

Avokatët e saj thonë se gruaja ishte e qetësuar aq shumë me substanca, saqë nuk ishte e vetëdijshme për abuzimin që kishte vazhduar për një dekadë.

Kryetari i trupit gjykues, Roger Arata, që po udhëheq një panel prej pesë gjykatësish, i lexoi të gjeturat kryesore të hetimit në ditën e dytë të gjykimit të martën.

Dyshimet ishin shpërfaqur së pari më 12 shtator 2020, kur një rojë e kishte ndaluar Pelicot-in në një dyqan në qytezën Carpentras, për shkak të incizimit të fundeve të klienteve.

Në xhepa i ishin gjetur kondomë dhe një kamerë. Kur ishte marrë në pyetje, kishte thënë se kishte vepruar “sipas impulsit”“nuk kishte mundur ta kontrollonte”.

Gjykatësi tregoi se si fotomontazhe të zhveshura të së bijës së çiftit ishin gjetur në kompjuterin e të akuzuarit, në një dosje me titull “rreth vajzës sime, e zhveshur”. Vajza shpërtheu në lot dhe u përcoll deri te dalja e sallës nga dy vëllezërit dhe avokatja Antoine Camus, por u rikthye rreth 20 minuta më pas.

Vajza e të akuzuarit më 2022 kishte shkruar një libër me titull “Dhe Ndalova të të Quaja Baba”, ku i tregoi efektet e zbulimit të krimeve të dyshimta ndaj familjes.

Në rast janë edhe 72 të dyshuar të tjerë, por vetëm 50 janë zbuluar. 18 prej të akuzuarve janë në ndalim, përfshirë Pelicot-in, ndërsa 32 të pandehur të tjerë po marrin pjesë në gjykim si njerëz të lirë. Një i 51-të po gjykohet në mungesë.

Shumica prej tyre mund të dënohen me deri 20 vite burgim për përdhunim të rëndë, nëse shpallen fajtorë./Nacionale

Lajme të ngjashme