Vazhdojnë sulmet e Izraelit, raportohet për disa të vrarë në Gaza e katër anëtarë të Hezbollahut - NACIONALE

Vazhdojnë sulmet e Izraelit, raportohet për disa të vrarë në Gaza e katër anëtarë të Hezbollahut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencia palestineze e lajmeve, “Wafa”, raporton se sulmet izraelite në Gaza vazhduan gjatë natës së kaluar.

Sipas kësaj agjencie, të paktën 14 persona u vranë nga bombardimi i një shtëpie nga forcat izraelite në perëndim të qyteti Khan Younis, në jug të Gazës. Ministria e Shëndetësisë, që menaxhohet nga Hamasi, i tha agjencisë “Reuters” se nga 14 të vrarët, nëntë ishin fëmijë, raporton televizioni BBC.

Agjencia palestineze tha më tej se Izraeli bombardoi me aeroplanë e artileri shtëpi në kampin e refugjatëve “Al-Maghazi” dhe në fshatin Al-Masdar, në pjesën qendrore të Gazës, duke vrarë dhjetëra njerëz e duke plagosur disa të tjerë.

Të mërkurën, ushtria izraelite njoftoi se u kishte thënë banorëve të një kampi refugjatësh në veri të Gazës që të lëviznin drejt jugut, përderisa betejat e ashpra me Hamasin po vazhdonin në mbarë enklavën.

Aeroplanët izraelitë hodhën fletushka të mërkurën mbi kampin “Al-Nuseirat” me të cilat njerëzit u urdhëruan që të largohen nga shtatë distrikte. “Zona në të cilën jeni ju konsiderohet zonë e rrezikshme e luftimeve”- shkruhet në ato fletushka.

Në Liban, Hezbollahu, grup i mbështetur nga Irani, tha se edhe katër anëtarë të tij janë vrarë në atë që mediat shtetërore e quajtën sulm ajror izraelit në fshatin Naqoura.

Televizioni “Al-Manar” i Hezbollahut i kujtoi katër të vrarët, të cilët i përshkroi si “martirë” dhe tha se në mesin e tyre është zyrtari lokal, Hussein Yazbek.

Lajme të ngjashme