Vazhdojnë luftimet, raketat palestineze bien afër Jerusalemit
Disa raketa kanë arritur në një zonë afër Jerusalemit për herë të parë gjatë katër ditëve të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve në Gaza.
Sipas medieve lokale, një raketë e hedhur nga Gaza ra afër vendbanimit çifut, Bat Ayin, në Bregun e pushtuar Perëndimor, rreth 16 kilometra në jug të Jerusalemit. Nuk është raportuar për persona të lënduar, thotë televizioni BBC.
Izraeli thotë se ka sulmuar qendra për hedhjen e raketave në Gaza si kundërpërgjigje. Luftimet e reja ndodhën në kohën e ndërmjetësimit të Egjiptit për të arritur një armëpushim mes dy palëve.
Tridhjetë e një persona – rreth gjysma e tyre civilë – janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza që nga kryerja e një sulmi të befasishëm izraelit, nga i cili u vranë tre militant të Xhihadit Islamik Palestinez të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Një izraelit është vrarë edhe pesë të tjerë janë plagosur nga zjarri i raketave në të njëjtën periudhë, sipas shërbimit ambulantor izraelit, “Magen David Adom”.
Xhihadi Islamik Palestinez tha se “hedhja e raketave drejt Jerusalemit është një mesazh dhe secili duhet ta kuptojë qëllimin e tij”.
Rifillimi i luftimeve ndodhi pas disa orëve të qetësisë relative, e cila e shtoi shpresën për arritjen e një armëpushimi.
Megjithatë, Izraeli kreu një sulm ajror mbi objektet e militantëve në orët e hershme të premten, edhe pse gjatë natës nuk kishte sulme me raketa. Raketat goditën dy shtëpi në qytezat Sderot dhe Nir Am gjatë sulmit të së premten, edhe pse nuk shkaktuan lëndime.
