Izraeli e vret komandantin e raketave të Xhihadit Islamik Palestinez, Ali Hassan Ghali
Një komandant i lartë dhe dy militantë të tjerë të Xhihadit Islamik Palestinez janë vrarë nga një sulm ajror izraelit të enjten para agimit në Gaza
Një aeroplan luftarak sulmoi një banesë në katin e pestë të një ndërtese në qytetin Hamad, afër Khan Younis-it, raporton televizioni BBC.
Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik Palestinez konfirmoi se shefi i njësitit të raketave, Ali Hassan Ghali, i njohur edhe si Abu Buhammad, vdiq të enjten nga sulmi i mëngjesit.
Ushtria izraelite e përshkroi Ghali-n si figurë qendrore në Xhihadin Islamik Palestinez, i cili, sipas saj, “ishte përgjegjës për grumbullin e fundit të raketave të hedhura kundër Izraelit”.
Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se fushata e Izraelit nuk kishte përfunduar. “Ne e kemi goditur Xhihadin Islamik me goditjen më domethënëse që ndonjëherë e ka pësuar”- tha ai, duke iu referuar vrasjes së tre komandantëve të këtij grupi të martën.
Të mërkurën, militantët në Gaza hodhën më shumë se 460 raketa në drejtim të Izraelit. Në anën tjetër, Izraeli goditi më shumë se 130 caqe të militantëve në Gaza, në luftimet më të ashpra në nëntë muajt e fundit.
Njëzet e pesë persona janë vrarë në Gaza nga e marta në mëngjes, kur Izraeli e filloi operacionin e vet kundër Xhihadit Islamik Palestinez, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Në mesin e të vrarëve raportohet se ishin të paktën dhjetë civilë dhe tre komandantë të tjerë të Xhihadit Islamik Palestinez.
Radioja ushtarake izraelite tha se katër persona, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë në Gaza nga raketat që nuk kanë arritur në caqe, edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga burimet palestineze.
Në Izrael nuk ka pasur raste fatale, edhe pse disa raketa kanë goditur shtëpi e ndërtesa të tjera. Shumica e raketave kanë rënë në zona të hapura ose janë penguar në ajër.

