Vazhdojnë luftimet në Sudan, sulme ajrore në periferi të Khartoumit
Zonat e jashtme të kryeqytetit sudanez, Khartoum, u goditën me sulme ajrore gjatë natës dhe të shtunën në mëngjes, përderisa luftimet hynë në javën e gjashtë. Shumë civilë janë zhytur në krizë humanitare dhe mbi një milion njerëz janë zhvendosur.
Luftimet mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave për Mbështetje të Shpejtë kanë çuar në kolaps të rendit dhe ligjit. Palët po e fajësojnë njëra-tjetrën për plaçkitje. Rezervat e ushqimit, parave të gatshme dhe gjërave të tjera elementare po tkurren shpejt, raporton agjencia “Reuters”.
Dëshmitarët raportuan për sulme ajrore në qytetet Omdurman dhe Bahri, të cilët shtrihen matanë Nilit nga Khartoumi, duke e formuar “kryeqytetin e trefishtë” të Sudanit. Disa prej sulmeve ndodhën afër televizionit shtetëror në Omdurman, sipas dëshmitarëve.
Dëshmitarët në Khartoum thanë se situata ishte relativisht e qetë, edhe pse të shtëna sporadike mund të dëgjoheshin.
Për shkak të këtij konflikti, i cili shpërtheu më 15 prill, gati 1 milion e 100 mijë njerëz janë zhvendosur brenda shtetit dhe në vendet fqinje. Rreth 700 njerëz janë vrarë dhe të paktën 5 mijë e 280 të tjerë janë lënduar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Bisedimet e përkrahura nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite në qytetin saudit, Jeddah, nuk kanë qenë të frytshme dhe të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e disa marrëveshjeve për armëpushim.
“U ballafaquam me zjarr të rëndë artilerie herët këtë mëngjes, e tërë shtëpia dridhej. Ishte e tmerrshme, të gjithë ishin shtrirë nën shtretër. Ajo që po ndodh është ankth”- tha Sanna Hassan, grua 33-vjeçare që jeton në lagjen “Al-Salha” të qytetit Omdurman.
Forcat për Mbështetje të Shpejtë janë të rrënjosura në distrikte banimi, duke tërhequr sulme ajrore pothuajse të vazhdueshme nga ushtria sudaneze.
Ditëve të fundit, luftimet tokësore janë ndezur përsëri në rajonin e Darfurit, në qytetet Nyala dhe Zalenjei.
Në deklaratat e publikuara të premten vonë, të dyja palët e fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve në Nyala, njëri nga qytetet më të mëdha të vendit.
(Shënim: Fotografia e lajmit është shkrepur më 1 maj.)
