Raportohet se burra të armatosur po dhunojnë gra në Khartoum të Sudanit - NACIONALE

Raportohet se burra të armatosur po dhunojnë gra në Khartoum të Sudanit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët qeveritarë në Sudan kanë thënë se ka shumë raportime për civilë që po dhunohen seksualisht nga burra të armatosur në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, ku muajin e kaluar shpërthyen luftimet.

Katër gra e një vajzë, tri prej të cilave refugjate, po përkrahen nga një njësi specialistësh, drejtori i të cilëve tha se ajo mendonte që shumica e dhunës seksuale në qytet po ndodhte pa u raportuar, raporton gazeta “The Guardian”.

“Unë besoj se rastet janë shumë më shumë se kaq, por për shkak të asaj që ka qenë duke ndodhur, jo të gjitha viktimat mund të kontaktojnë me ne dhe ta marrin përkrahjen që u nevojitet”- tha Suliema Ishaq, drejtoreshë e njësisë për luftën kundër dhunës ndaj grave në Ministrinë e Punëve Sociale në Sudan.

Dy prej këtyre grave thanë se janë dhunuar nga anëtarët e Forcave për Mbështetje të Shpejtë. Tre refugjatet që po jetojnë në këtë qytet pas ikjes nga dhuna në vendet e tyre raportuan se janë dhunuar nga burra të armatosur të panjohur.

Më shumë se 600 persona, përfshirë civilë, janë vrarë dhe mbi 5 mijë të tjerë janë plagosur nga 15 prilli, kur luftimet shpërthyen mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave për Mbështetje të Shpejtë.

Vetëm 16 për qind e spitaleve në Khartoum janë duke funksionuar me kapacitet të plotë, ndërsa zyrtarët shëndetësorë po raportojnë se disa qendra po pushtohen nga Forcat për Mbështetje të Shpejtë, të cilat kontrollojnë gati 90 për qind të kryeqytetit.

Zonja Ishaq tha se dhuna dhe mungesa e burimeve shëndetësore nënkupton që njësia e saj mund ta ofrojë vetëm “minimumin e ndihmës”. “Nuk ka kalime të sigurta për në vende ku ka ilaçe, këto vende po pushtohen”- tha ajo.

Edhe pse të dyja palët e konfliktit u pajtuan të enjten për t’i mbrojtur civilët që të lejohet shpërndarja e furnizimeve humanitare, luftimet e ashpra dhe sulmet ajrore kanë vazhduar në Khartoum dhe në El Geneina në Darfurin Perëndimor gjatë fundjavës. Bisedimet e paqes janë planifikuar mes dy palëve për këtë javë.

Lajme të ngjashme