Ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar një dron iranian të përdorur nga Rusia - NACIONALE

Ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar një dron iranian të përdorur nga Rusia

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase pretendoi të martën për herë të parë se ka hasur në një dron “vetëvrasës” iranian, të përdorur nga Rusia në fushëbetejë, gjë që e shfaq thellimin e marrëdhënieve mes Moskës e Teheranit.

Inteligjenca amerikane publikisht paralajmëroi në korrik se Teherani planifikonte t’ia dhuronte Rusisë qindra dronë me bomba për ta ndihmuar në luftën e Ukrainës. Përderisa Irani fillimisht e kishte mohuar këtë, komandanti i Rojave Revolucionare ditëve të fundit është mburrë për armatosjen e fuqive të mëdha botërore.

Një zyrtar ushtarak ukrainas dhe një uebfaqe ushtarake pro Ukrainës, e lidhur ngushtë me ushtrinë, publikuan pamje të mbetjeve të dronit. Në pamje, mbetjet i ngjajnë dronit të njohur si “Shahed”, raporton agjencia “Associated Press”.

Zyrtari ushtarak dhe uebfaqja thanë se trupat ukrainase hasën në këtë dron afër qytetit Kupiansk, në kohën kur Kievi po kryen kundërsulm që i ka prekur vijat ruse përreth rajonit Kharkiv, në frontin lindor.

Sipas pamjes, supozohet se droni “Shahed” është rrezuar nga forcat ukrainase dhe nuk ka shpërthyer, siç është qëllimi i tij, ndonëse pak informata të tjera u publikuan menjëherë nga Kievi.

Në dron shihej shkrimi “M214 Geran-2”, që nuk u përputh menjëherë me ndonjë armë të njohur ruse.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Irani ka disa versione të dronit “Shahed”, që kanë fluturuar mbi një aeroplanmbajtëse amerikane në Gjirin Persik, janë përdorur nga rebelët e përkrahur nga Irani në Jemen, kanë sulmuar depo nafte në Arabinë Saudite dhe dyshohet se kanë vrarë dy detarë në një anije me naftë afër Omanit më 2021. Besohet se ky lloj droni mund të operohet nga 2.000 kilometra, ndonëse Irani ka ofruar pak hollësi për të.

Ekspertët këta dronë i quajnë “municione bredhëse”. Ky dron fluturon drejt një destinacioni, me gjasë i programuar para fluturimit, dhe ose shpërthen në ajër mbi cak, ose gjatë ndikimit ndaj tij.

Irani i ka thelluar raportet me Rusinë në kohën kur po ballafaqohet me sanksione të rënda për shkak të shkeljes së marrëveshjes bërthamore ne fuqitë e mëdha, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte tërhequr në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga pakti ndërkombëtar mes Iranit dhe fuqive të mëdha. Duket se bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes kanë ngecur përsëri.

Irani ka raporte të acaruara me Ukrainën për shkak të rrëzimit të aeroplanët ukrainas të pasagjerëve nga Rojat Revolucionare të Iranit më 2020, kur kishin vdekur të gjithë 176 personat që ndodheshin në aeroplan./Nacionale

Lajme të ngjashme