Ushtria izraelite vret pesë palestinezë në Bregun Perëndimor pas vrasjes së kolones shtatzënë
Ushtria izraelite vrau pesë palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor të enjten, disa orë pasi një ardhëse shtatzënë u vra nga të shtënat me armë.
Ushtria tha në një deklaratë se kishte vrarë pesë “terroristë” dhe kishte arrestuar një tjetër, të cilët e kishin barrikaduar veten në një ndërtesë në Tamoun, pas shkëmbimit të zjarrit dhe përdorimit të raketave të hedhura nga krahu nga ushtarët izraelitë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tamouni është qytezë palestineze rreth 35 kilometra larg vendbanimit izraelit Brukhin, afër të cilit u vra të mërkurën në mbrëmje shtatzëna Tzeela Gez. Vrasja e saj u dënua fuqishëm nga udhëheqësit izraelitë.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për të shtënat. Të shtëna u dëgjuan edhe në Tamoun të enjten, përderisa u shfaqën pamje të flakës e tymit në katin e sipërm të një shtëpie, përderisa ushtarët izraelitë qëndronin jashtë në rrugë.
Agjencia palestineze e lajmeve, Wafa, tha se ushtria izraelite po e shembte shtëpinë ku ishin vrarë burrat palestinezë.