Ushtria izraelite vret dy të rinj palestinezë gjatë bastisjes në Bregun Perëndimor
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se forcat izraelite vranë të paktën dy palestinezë të enjten në përleshjen që shpërtheu gjatë një bastisjeje në Bregun e pushtuar Perëndimor pas sulmeve vdekjeprurëse të arabëve në Izrael.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj dhe policia kufitare u futën në kampin e refugjatëve në qytetin Jenin “për të kapur të dyshuar terroristë”, raporton agjencia “Reuters”.
“Gjatë operacionit, terroristët hapën zjarr ndaj forcave tona. Trupat izraelite e kthyen zjarrin që i goditi të armatosurit. Një ushtar izraelit u plagos lehtë”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy palestinezë të moshave 17 dhe 23-vjeçare u vranë në përleshje.

Të martën, një palestinez i armatosur nga zona e Jeninit vrau pesë persona në periferi të Tel Avivit para se të qëllohej për vdekje nga policia. Ky incident e çoi në 11 numrin e të vrarëve nga sulmet e arabëve në Izrael në javën e fundit.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, foli të mërkurën me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për të cilin ambasada amerikane tha se i shprehu ngushëllimet më të thella pas sulmeve të tmerrshme terroriste.
Shefi i qeverisë izraelite ka njoftuar një varg masash për t’i bërë ballë asaj që e quajti valë të re të sulmeve, duke thënë se më shumë policë do të vendosen rrugëve dhe se do të shtohen masat e sigurisë në zonat kufitare përreth Bregut Perëndimor.