Ushtria izraelite thotë se ka kapur qindra luftëtarë në spitalin kryesor të Gazës - NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se ka kapur qindra luftëtarë në spitalin kryesor të Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite kanë ndaluar qindra luftëtarë të Hamasit dhe të Xhihadit Islam, përfshirë një numër të zyrtarëve të sigurisë dhe komandantëve ushtarakë, gjatë bastisjes së gjerë të tyre në spitalin kryesor të Gazës, sipas zëdhënësit kryesor të ushtrisë izraelite.

Trupat izraelite hynë në spitalin “Al Shifa” të qytetit Gaza në orët e hershme të së hënës në mëngjes dhe janë shpërndarë nëpër kompleksin e madh, për të cilin ushtria thotë se është i lidhur me një rrjet tunelesh që përdoren si bazë e luftëtarëve palestinezë, raporton agjencia “Reuters”.

Ushtria izraelite ka vrarë qindra luftëtarë dhe ka ndaluar mbi 500 të dyshuar, përfshirë 358 anëtarë të grupeve militante të Hamasit e Xhihadit Islam, numri më i madh që nga fillimi i luftës që nisi para gati gjashtë muajve.

Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se njësitet e forcave speciale kishin përdorur “taktika mashtruese” për t’i befasuar luftëtarët dhe se ato i kishin dëmtuar rëndë Hamasin dhe Xhihadin Islam.

Në mesin e të ndaluarve ishin tre komandantë të lartë të Xhihadit Islam dhe dy zyrtarë të Hamasit që ishin përgjegjës për operacione në Bregun e pushtuar Perëndimor si dhe zyrtarë të tjerë të Hamasit për siguri të brendshme.

“Ata që nuk iu dorëzuan forcave tona, luftuan kundër forcave tona dhe u eliminuan” – tha Hagari në një konferencë për gazetarë të enjten vonë.

Nuk pati komente të menjëhershme nga Hamasi ose Xhihadi Islam.

Spitali “Al Shifa”, më i madhi në Rripin e Gazës para luftës, është njëri nga objektet e pakta të kujdesit shëndetësor pjesërisht në funksion në veri të enklavës dhe në të gjithashtu janë strehuar civilë të zhvendosur.

Izraeli ishte ballafaquar me kritika të ashpra në nëntor, kur trupat e tij së pari e kishin bastisur spitalin. Trupat zbuluan tunele atje, për të cilat thanë se ishin përdorur si qendra të komandës dhe kontrollit nga Hamasi. Hamasi dhe stafi mjekësor mohojnë se spitali përdoret për qëllime ushtarake ose për të strehuar luftëtarë.

Ditëve të fundit, zëdhënësit e Hamasit kanë thënë se të vdekurit që janë përmendur në deklaratat e mëparshme izraelite nuk ishin luftëtarë, por pacientë e persona të zhvendosur dhe e kanë akuzuar Izraelin për krime lufte.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që të ketë qasje në spital dhe t’i vërtetojë pretendimet e palëve.

Lajme të ngjashme