Ushtarët e vdekur rusë të shpërndarë në tokat ukrainase, Kremlini vazhdon ta fshehë numrin - PAMJE TË RËNDA - NACIONALE

Ushtarët e vdekur rusë të shpërndarë në tokat ukrainase, Kremlini vazhdon ta fshehë numrin - PAMJE TË RËNDA

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në rajonin jugor të Mykolaiv, ditët e para të ngrohta dhe me diell të pranverës po sjellin një realitet të ri të zymtë: erën e të vdekurve.

Ndërsa ngricat dhe toka shkrihen, trupat e vdekur të ushtarëve rusë të shpërndarë nëpër natyrë po bëhen problem për vendin.

Guvernatori i rajonit Vitaly Kim, në një video-fjalim, u ka bërë thirrje banorëve vendas, që të ndihmojnë në mbledhjen e kufomave dhe vendosjen e tyre nëpër qese kufomash. "Ne nuk jemi kafshë, apo jo?" i'u tha ai banorëve, të cilët tashmë kanë humbur shumë në këtë luftë.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Mykolaiv ishte ndër qytetet e para rajonale që u sulmuan. Pas përballjes në qendrën urbane, trupat ruse u dëbuan nga ushtria e Ukrainës, duke lënë pas vetes automjete luftarake dhe tanke të nxira. Megjithatë, beteja për qytetin është ende e ndezur dhe është e paqartë se për sa kohë forcat ukrainase do të jenë në gjendje të shmangin sulmin.

Duke iu referuar atyre si "orkët" - ushtria e keqe, monstruoze në filmin "Zoti i unazave", Kim tha se rusët të cilët ishin tërhequr kanë lënë në fushë betejë trupat e djegur të kolegëve të tyre. Guvernatori i ka dërguar CNN disa fotografi të kufomave të braktisura duke thënë se ka qindra të tilla në gjithë rajonin.

Guvernatori Kim ka bërë thirrje që trupat e të vdekurve të vendosen në frigoriferë dhe të kthehen në Rusi për identifikim përmes testit të ADN-së. Por, një muaj pas luftës, është ende e paqartë se si apo nëse eshtrat e ushtarëve po riatdhesohen në Rusi, ku raportet për numrin e të vdekurve vazhdojnë të mbeten të fshehura.

Kujtojmë se duke kufizuar aksesin e rusëve në rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter, në territorin rus është kufizuar edhe aksesi në raporte të mediave ndërkombëtare, duke fshehur kështu çdo informacion në lidhje me realitetin e luftës së përgjakshme në Ukrainë,

Nuk dihet ende saktësisht se sa trupa ruse janë vrarë në Ukrainë. Në një raport të dalë nga ministria e Mbrojtjes ruse u tha se ishin 498 persona të vrarë, por më pas tabloidi pro-Putin e përditësoi këtë numër duke e nxjerrë si shifër 9,861 persona. Megjithatë, gazeta menjëherë pas doli me një deklaratë se ishte hakuar, ndërsa Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit duke folur për CNN u shpreh se “nuk do të zbulojnë informacion për numra të të vdekurve”.

Numri 9,861 i dalë nga gazeta, përputhet me informacionin e dhënë nga zyrtarë të ShBA-së dhe NATO-s, të cilët në një vlerësim të fundit thanë se numri i viktimave ruse varion nga 3,000 deri në 10,000. Ndërkohë, zyrtarët ukrainas janë shprehur se ky numër është edhe më i lartë se 15,000.

Qeveria ukrainase po ashtu ka pohuar se ushtria ruse ka sjellë krematoriume të lëvizshëm për të djegur të vdekurit e tyre. "Populli rus po vdes këtu, askush nuk po i numëron ata, njerëzit që vdesin në këtë luftë. A e dini se ata kanë sjellë një “dhomë djegieje” me vete? Ata nuk do t'ua tregojnë kufomat familjeve të tyre. Nuk do t'u tregojnë nënave që fëmijët e tyre kanë vdekur këtu,” tha presidenti Volodymyr Zelensky në një konferencë të mbajtur më 3 mars.

Në të njëjtën ditë, Ukrzaliznytsia - Hekurudhat Ukrainase në pronësi të shtetit, thanë në një deklaratë se u kishin ofruar Forcave të Armatosura të Ukrainës 20 makina frigoriferike për largimin e ushtarëve rusë të vdekur nga disa zona, përfshirë Odesën, por, vetëm 72 orë më vonë, kryetari i Ukrzaliznytsia postoi një mesazh në Telegram duke thënë se Rusia nuk erdhi kurrë për t'i marrë trupat.

“Për hir të propagandës ‘fitimtare’, ata janë gati t’u heqin nënave edhe mundësinë për të varrosur trupat”, tha kryetari, Oleksandr Kamyshin.

Ndërkohë, Qeveria e Ukrainës tha se është ende në pritje për të marrë një kërkesë nga autoritetet ruse për riatdhesimin e trupave të të vrarëve. Zëvendëskryeministri ukrainas tha se çështja e mbledhjes dhe identifikimit të trupave ishte diskutuar në një takim midis kryeministrit Denys Shmyhal dhe presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, të enjten. Por, KNKK nuk ka konfirmuar nëse po e ndihmon Ukrainën në kthimin e trupave rusë në vendin e tyre, gjë që parashikohet nga ligji ndërkombëtar.

Në video dhe raporte të ndryshme kanë filluar të shfaqen sugjerime për shkallën e humbjeve të trupave ruse. Më 18 mars, shërbimi bjellorus i Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty, një organizatë mediatike e financuar nga ShBA, publikoi imazhe të autokolonave ruse të ambulancave që dukej se po shkonin në spitale në Bjellorusinë jugore, afër kufirit të Ukrainës, duke raportuar se morgjet në këtë zonë ishin tejmbushur. Në anën tjetër, një raport i 21 marsit nga media ukrainase në gjuhën angleze The Kyiv Independent ndoqi një njësi ukrainase të reagimit emergjent duke gërmuar ushtarë rusë të varrosur në varre komunale të pashënuara në Rusaniv, një fshat në lindje të kryeqytetit - të lënë grumbull dhe pa dokumente identifikimi.

Raportet e medias shtetërore ruse vazhdojnë ti qëndrojnë shifrës 498 dhe në vend ka shumë pak funerale të dokumentuara, ku censura e luftës është çuar në një ekstrem me një ligj të ri të miratuar i cili kriminalizon raportimin që kundërshton Kremlinin. E në mungesë të informacionit për të vdekurit e Rusisë, ukrainasit janë përpjekur të plotësojnë boshllëqet.

Një faqe interneti e quajtuar 200rf.com dhe kanali Telegram i krijuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës, që synon familjet ruse, publikon vazhdimisht fotograf të ushtarëve të vdekur dhe të rinjve të kapur, ndonjëherë së bashku me kartat e tyre të identitetit. Viktor Andrusiv, një këshilltar i ministrit të punëve të brendshme të Ukrainës në të njejtën kohë krijues dhe koordinator i kanalit, tha se ai filloi iniciativën për të ndihmuar familjet ruse të gjejnë informacione për ushtarët e tyre.

"Ne nuk po bëjmë luftë kundër popullit rus. Dhe unë nuk mendoj se ata duhet të vuajnë për shkak të regjimit të tyre, i cili i gënjen dhe thotë se gjithçka është mirë, se askush nuk po vdes," tha ai për CNN, duke shtuar se kjo është një mënyrë për t'u sjellë atyre të vërtetën.

Megjithatë, Andrusiv thotë se identifikimi i ushtarëve rusë të vdekur është një detyrë e vështirë, duke treguar se në kanalin Telegram deri më tani janë gjetur vetëm 30 persona nga të afërmit e tyre, të cilët shohin imazhet e tmerrshme të të vrarëve në aksion për të parë nëse të dashurit e tyre janë gjallë apo të vdekur. Forcat ukrainase i dërgojnë vazhdimisht Andrusovit imazhet e trupave të vdekur, por shpesh është e vështirë të njihen sepse nuk kanë dokumente.

"Është shumë e vështirë të identifikohen të vdekurit sepse normalisht nuk kanë dokumente me vete, normalisht komandantët i marrin dokumentet dhe i vendosin në disa kuti. Zakonisht ata po vdesin në zjarre,granatime, ndërsa nga numri i vendosur në etiketat që mbajnë nuk mund të merret asnjë infromacion për personin."

E ndërsa marsi po ikën e do të vijë prilli, temperaturat vazhdojnë të rriten e problemi i kufomave të lëna pas në toka sa vjen e përkeqësohet.

"Problemi me trupat rusë është vërtet i madh. Janë mijëra prej tyre. Para luftës, moti ishte i ftohtë, ishte mirë, por tani kemi probleme sepse rusët nuk duan t'i marrin trupat," tha Andrusiv. "Në fakt nuk e di se çfarë do të bëjmë në javët e ardhshme me trupat e tyre."/Nacionale/

Lajme të ngjashme