Ushtria e Nigerit e shpall puçin përmes televizionit, presidenti po mbahet i ndaluar
Disa zyrtarë ushtarakë në Niger të Afrikës kanë njoftuar për puçin e tyre përmes ekranit të televizionit kombëtar.
Ata thanë se e kanë shpërbërë kushtetutën, e kanë pezulluar punën e të gjitha institucioneve dhe i kanë mbyllur kufijtë e vendit, raporton televizioni BBC.
Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum, është duke u mbajtur nga rojat presidenciale që nga mëngjesi i së mërkurës.
Atij iu premtua “përkrahja e palëkundur” e Uashingtonit përmes një telefonate me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se kishte biseduar me presidentin e vendit afrikan dhe se ia kishte ofruar përkrahjen e plotë të OKB-së.
Në njoftimin e dhënë në televizionin kombëtar të mërkurën, Kolonel Major Amadou Abdramane, bashkë me nëntë ushtarë të tjerë prapa tij, tha: “Ne forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë... kemi vendosur që t’i japim fund regjimit që ju e njihni. Kjo vjen pas përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe qeverisjes së dobët ekonomike e sociale.”
Ai tha, gjithashtu, se të gjitha institucionet e vendit janë pezulluar dhe se udhëheqësit e ministrive do të përkujdesen për punët e përditshme.
“Të gjithë partnerëve të jashtëm u kërkohet që të mos ndërhyjnë. Kufijtë tokësorë dhe ajrorë janë të mbyllur derisa situata të stabilizohet”- shtoi zyrtari ushtarak.
Abdramane njoftoi se do të hyjë në fuqi ora policore nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit deri në një njoftim tjetër.
Nigeri është përfshirë nga dy kryengritje islamiste – njëra në jugperëndim, që e ka prekur edhe Malin nga viti 2015, ndërsa tjetra në juglindje, ku përfshihen xhihadistët me bazë në pjesën verilindore të Nigerisë. Grupe militantësh të lidhura me ISIS-in dhe Al-Qaedan janë aktive në Niger.
