Ukraina u kundërpërgjigjet shpejt kushteve të Putinit për përfundimin e luftës - NACIONALE

Ukraina u kundërpërgjigjet shpejt kushteve të Putinit për përfundimin e luftës

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ukraina i është kundërpërgjigjur shpejt presidentit rus, Vladimir Putin, i cili të premten tha se forcat e tij do të bënin armëpushim dhe Rusia do të hynte në bisedime të paqes, nëse Ukraina i tërheq forcat e veta nga katër rajone ukrainase dhe heq dorë zyrtarisht nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, i tha agjencisë “Reuters” se kushtet e Putinit janë të barasvlershme me propozimin që Ukraina ta pranojë humbjen dhe ta nënshkruajë heqjen dorë nga sovraniteti i saj.

Zyrtari ukrainas shtoi se “nuk ka mundësi për të gjetur kompromis” mbi bazën e asaj që kishte propozuar kreu i Kremlinit.

Çfarë tha Putini?

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se Rusia do të bënte armëpushim dhe do të hynte në bisedime të paqes, nëse Ukraina heq dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe nëse i tërheq forcat nga katër rajonet ukrainase të pretenduara nga Moska si territor rus.

Buzë fillimit të një konference të paqes për Ukrainën në Zvicër, ku Rusia nuk është ftuar, Putini shtroi një varg kushtesh që bien ndesh plotësisht me kushtet e kërkuara nga Ukraina, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta "Nacionale".

“Kushtet janë shumë të thjeshta” – tha Putini, duke e përmendur tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga tërë territori i rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia në lindje e në jug të Ukrainës.

“Porsa ata të deklarojnë në Kiev se janë të gatshëm për një vendim të tillë dhe fillojnë një tërheqje të vërtetë të trupave nga këto rajone, dhe gjithashtu ta njoftojnë zyrtarisht braktisjen e planeve të tyre për të hyrë në NATO – në anën tonë, menjëherë, në mënyrë të fjalëpërfjalshme në të njëjtën minutë, një urdhër do të pasojë për armëpushim dhe për nisje të bisedimeve” – tha kreu i Kremlinit.

“Po e përsëris, do ta bëjmë këtë menjëherë. Natyrisht, ne në të njëjtën kohë do të garantojmë tërheqje të papenguar dhe të sigurt të njësiteve dhe formacioneve ukrainase” – shtoi ai.

Rusia e kontrollon gati një të pestën e territorit të Ukrainës në vitin e tret të luftës. Ukraina thotë se paqja mund të mbështetet vetëm në tërheqjen e plotë të forcave ruse dhe rivendosjen e integritetit të saj territorial.

Lajme të ngjashme