Ukraina thotë se Rusia po përgatitet të mobilizojë 500 mijë rekrutë shtesë
Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka pohuar se Rusia do të urdhërojë mobilizimin e deri në 500 mijë rekrutëve në janar, përveç 300 mijë të thirrurve në muajin tetor, në një shenjë tjetër të dukshme se Vladimir Putin, nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.
Sipas The Guardian, Vadym Skibitsky, zëvendës shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, ka thënë se Ukraina besonte se rekrutët do të ishin pjesë e një vargu ofensivash ruse gjatë pranverës dhe verës në lindje dhe jug të vendit.
Ndërkohë, Rusia ka mohuar se po përgatit një valë të dytë mobilizimi, me Putinin që tha muajin e kaluar se ishte "e pakuptimtë" të flitej për një thirrje të re, duke pretenduar se vetëm gjysma e atyre të mobilizuar tashmë ishin dërguar në Ukrainë.
Megjithatë, kujtojmë se zyrtarët rusë, përfshirë Putinin, edhe më parë mohuan plante për një mobilizim ndërsa pak kohë pas shpallën “mobilizimin e pjesshëm”, në muajin shtator.
Paralajmërimi i Ukrainës për një mobilizim të ri vjen pasi Rusia pretendon se i është përmbajtur armëpushimit të njëanshëm në Krishtlindjet Ortodokse.
Ditën e premte, ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se trupat e saj filluan të respektonin një armëpushim nga mesdita e Moskës "përgjatë gjithë linjës së kontaktit". Por, megjithatë, është njoftuar për granatimin e një stacioni zjarri në Kherson të kontrolluar nga ukrainasit, sulm që sipas administratës rajonale të Khersonit, ka lënë të vrarë një zjarrfikës dhe ka plagosur katër të tjerë.
