Sanksionet e reja të ShBA-së synojnë firmat iraniane të dronëve
ShBA-ja ka lëshuar sanksione të reja që synojnë furnizuesit e dronëve iranianë, për të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur për të goditur infrastrukturën civile në luftën në Ukrainë.
Sipas një deklarate të dhënë nga departamenti i thesarit të ShBA-së, sanksionet janë vendosur ndaj gjashtë drejtuesve dhe anëtarëve të bordit të Qods Aviation Industries (QAI), i njohur gjithashtu si Industria e Dizajnimit dhe Prodhimit të Aeroplanëve të Lehtë.
Ne deklaratën e dhënë, QAI u përshkrua si një prodhues kryesor iranian, përgjegjës për projektimin dhe prodhimin e dronëve.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha në deklaratë se:
“Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t'i mohuar Putinit armët që ai po përdor për të zhvilluar luftën e tij barbare dhe të paprovokuar kundër Ukrainës.”
Ajo më tej ka shtuar se, mbështetja e Kremlinit te furnizuesit e mundësisë së fundit si Irani tregon dëshpërimin e thellë përballë rezistencës së guximshme ukrainase dhe suksesit të koalicionit global në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit ushtarak rus.
Kujtojmë se ShBA edhe më parë ka vendosur sanksione ndaj kompanive dhe njerëzve që i ka akuzuar për prodhim apo transferim të dronëve iranian, të përdorur nga Rusia për të sulmuar infrastrukturën civile në Ukrainë.
