Ukraina thotë se Rusia e kreu sulmin më të madh me dronë ndaj saj që nga fillimi i luftës - NACIONALE

Ukraina thotë se Rusia e kreu sulmin më të madh me dronë ndaj saj që nga fillimi i luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeqyteti ukrainas, Kievi, e pësoi të shtunën atë që zyrtarët ukrainas e përshkruan si sulmin më të madh me dronë nga Rusia që nga fillimi i luftës, duke lënë pesë persona të plagosur, përderisa shpërthimet dhe reagimi i sistemit të mbrojtjes ajrore i zgjuan herët banorët.

Sulmet filluan në distrikte të ndryshme të Kievit në orët e hershme të së shtunës dhe valë të reja ndodhën pas lindjes së diellit. Alarmi për sulme ajrore zgjati gjithsej gjashtë orë, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se mbi 70 dronë kamikazë të prodhimit iranian, “Shahed”, ishin nisur në drejtim të Ukrainës dhe shumica prej tyre – por jo të gjithë – u rrëzuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore.

Forcat ajrore ukrainase thanë se kishin rrëzuar 71 dronë “Shahed” dhe një raketë.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, duke shkruar në rrjetin ”Telegram”, tha se nga sulmi janë lënduar pesë persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, dhe janë dëmtuar disa ndërtesa në distrikte në mbarë qytetin.

Ai shtoi se copëzat e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një çerdhe fëmijësh.

Zelensky theksoi se ky sulm ndodhi në orët e hershme të ditës që për ukrainasit e shënon tragjedinë më të madhe kombëtare – Holodomorin – periudhë mes viteve 1932 e 1933, kur miliona njerëz kishin vdekur nga uria.

Udhëheqësit ukrainas në të kaluarën kanë ngritur paralele mes Holodomorit dhe pushtimit të tanishëm nga Rusia.

Ukraina dhe mbi 30 shtete të tjera e njohin Holodomorin si gjenocid ndaj popullit ukrainas nga Bashkimi Sovjetik, që e kishte qeverisur Ukrainën në atë kohë dhe synonte që ta shtypte synimin e saj për pavarësi.

Lajme të ngjashme