Ukraina thotë se goditi një fushë ajrore në Rusi e shkatërroi depo me bomba me drejtim - NACIONALE

Ukraina thotë se goditi një fushë ajrore në Rusi e shkatërroi depo me bomba me drejtim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase ka thënë se ka goditur një fushë ajrore ushtarake thellë brenda Rusisë, duke shkatërruar depo me bomba me drejtim.

Në një deklaratë, ushtria raportoi për një zjarr të madh e shumë shpërthime në fushën ajrore në Lipetsk, mbi 350 kilometra larg kufirit të Ukrainës, pas sulmit që u krye natën, raporton televizioni BBC.

Autoritetet rajonale në Lipetsk thanë se gjendja emergjente tashmë ishte në fuqi në atë zonë, duke i konfirmuar shpërthimet në një “objekt të infrastrukturës energjetike”. Banorët e katër fshatrave të zonës po evakuoheshin.

Kjo vjen në kohën kur ushtria ukrainase po e vazhdon ofensivën e saj matanë kufirit në rajonin perëndimor rus, Kursk, ku gjithashtu është shpallur gjendja emergjente.

Në raportime thuhet se trupat ukrainase janë duke operuar rreth 10 kilometra brenda territorit rus – përparimi më i thellë matanë kufirit nga Kievi që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ushtria ruse thotë se deri në një mijë trupa ukrainase, të mbështetura me tanke e automjete të blinduara, hynë në rajonin Kursk të martën në mëngjes.

Sipas Rusisë, më shumë se 300 trupa janë vrarë dhe plagosur – pretendim që nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Në një video-adresim të enjten vonë, pa e përmendur drejtpërdrejt hyrjen e raportuar të trupave ukrainase në Rusi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Moska duhet t’i “ndiejë” pasojat e luftës së saj në Ukrainë.

“Rusia e ka sjellë luftën në tokën tonë dhe duhet ta ndiejë atë që e ka bërë. Ukrainasit dinë se si t’i arrijnë qëllimet e tyre dhe ne nuk zgjodhëm që t’i arrijmë qëllimet tona në luftë” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme