Ukraina thotë se forcat speciale të saj kanë arritur në brigjet e Krimesë - NACIONALE

Ukraina thotë se forcat speciale të saj kanë arritur në brigjet e Krimesë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase kanë i kanë kryer operacionet e tyre më të ndërlikuara dhe më ambicioze deri më tani kundër objekteve ushtarake ruse në gadishullin e pushtuar të Krimesë, sipas zyrtarëve në Kiev.

Forcat speciale arritën në bregdetin perëndimor të Krimesë, afër vendbanimeve Olenivka dhe Mayak, në një operacion të përbashkët me forcat detare ukrainase, sipas inteligjencës së mbrojtjes, raporton televizioni CNN.

“Gjatë kryerjes së detyrës, mbrojtësit ukrainas u përleshën me njësitet e pushtuesit. Si rezultat, armiku pësoi humbje në mesin e personelit dhe pajisje të shkatërruara”- tha agjencia ukrainase e inteligjencës, duke shtuar se trupat e kanë ngritur edhe flamurin ukrainas gjatë qëndrimit atje.

Autoritetet e emëruara nga Rusia në Krime, gadishull i pushtuar ilegalisht nga forcat ruse që nga viti 2014, nuk janë kundërpërgjigjur rreth këtyre pretendimeve.

Ky operacion do ta paraqiste njërën nga lëvizjet më të guximshme të Ukrainës që nga fillimi i kundërsulmit kundër trupave ruse, i cili deri më tani ka sjellë përparim të kufizuar.

Kievi rishtazi i ka shtuar sulmet me dronë në Krime në përpjekje për t’i penguar logjistikën dhe furnizimin e ushtrisë ruse. Ky ndryshim i fokusit të forcave ukrainase është komentuar me skepticizëm nga disa zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë.

Në Krime ka sisteme të gjera të mbrojtjes ajrore e zona me raketa, përfshirë sistemet e avancuara. Ukrainasit thanë të mërkurën se kishin shkatërruar një bateri të sistemit raketor S-400 në atë zonë.

Në disa llogari jozyrtare ruse në rrjete sociale është bërë fjalë për të shtëna afër kampit në Kepin e Tarkhankutit – pika më perëndimore e Krimesë – para agimit të enjten. Në një kanal thuhet se të shtënat e para shpërthyen pak para orës 4 të mëngjesit.

“Kur njerëzit u zgjuan dhe dolën nga shtëpitë e nga tendat për në plazh, panë dy barka gome jo larg nga bregu. Në to ishin dhjetë burra të paidentifikuar. Njëri nga ta shtiu në zonën e kampit”- sipas kanalit “SHOT” në rrjetin “Telegram”.

Një blog i njohur ushtarak rus, “Wargonzo”, raportoi se “sipas disa burimeve, një grup ukrainas i sabotimit dhe zbulimit ka arritur në zonën e Kepit të Tarkhankutit, e ka bombarduar zonën e kampit në breg dhe ka ikur në drejtim të Odesës”.

Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës publikoi disa video në të cilat pretendohet se shfaqen barkat ukrainase në bregdetin e Krimesë në errësirë.

Janë publikuar edhe video të barkave ukrainase duke hedhur një raketë kundërajrore në drejtim të një aeroplani rus. Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka publikuar një video nga hapësira e brendshme e një aeroplani luftarak duke hapur zjarr në drejtim të barkave.

Lajme të ngjashme