Ukraina thotë se forcat ruse kanë hyrë në qytetin kyç të vijës së frontit, Toretsk - NACIONALE

Ukraina thotë se forcat ruse kanë hyrë në qytetin kyç të vijës së frontit, Toretsk

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Forcat ruse kanë hyrë në periferinë e qytetit lindor ukrainas të vijës së frontit, Toretsk, tha të hënën vonë ushtria ukrainase, më pak se një javë pas rënies së qytezës bastion, Vuhledar.

“Situata është e paqëndrueshme, luftimet po zhvillohen në mënyrë të fjalëpërfjalshme në secilën hyrje [të qytetit]” – i tha transmetuesit publik ukrainas Anastasiia Bobovnikova, zëdhënëse e Grupit Taktik Operacional “Luhansk”.

“Rusët kanë hyrë në periferinë lindore të qytetit” – shtoi Bobovnikova, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, e cila më herët të hënën kishte thënë se forcat e saj kishin shkaktuar dëme në fuqinë njerëzore dhe pajisjet e armikut afër disa vendbanimeve të zonës, përfshirë afër Toretskut.

Blogerët ushtarakë rusë, përfshirë një grup të analistëve ushtarakë që e menaxhonin kanalin e njohur në rrjetin “Telegram”, “Rybar”, thanë se trupat ruse po vazhdojnë që të përparojnë drejt qendrës së qytezës.

Avancimi i forcave ruse – njësoj si kapja e Vuhledarit javën e kaluar – e ka nënvizuar epërsinë e madhe të Rusisë në ushtarë dhe furnizime ushtarake, përderisa Ukraina po bën apel për më shumë armë nga aleatët e saj perëndimorë, që kanë qenë duke i ofruar mbështetje nga fillimi i luftës.

Rusia, që tashmë kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës, ka qenë duke avancuar drejt Toretskut nga gushti, duke marrë nën kontroll fshat pas fshati me këmbësori të përkrahur nga përdorimi i shtuar i bombave me drejtim, që janë shumë shkatërruese.

Përderisa Ukraina po humb gjithnjë më shumë territor, presidenti Volodymyr Zelensky i ka urdhëruar komandantët që të bëjnë “gjithçka që mund të bëhet” për ta minimizuar avancimin e armikut përgjatë vijës së frontit.

Për Ukrainën, Toretsku ka qenë qytet i vijës së frontit për dhjetë vjet, pasi ndodhet afër territoreve të marra nga separatistët e përkrahur nga Moska në vitin 2014. Prej asaj kohe ka qenë shtyllë e fortifikatave të Ukrainës.

Për Rusinë, marrja nën kontroll e qytezës që deri në vitin 2016 e mbante emrin sovjetik, Dzerzhinsk, sipas themeluesit të policisë sekrete sovjetike, Felix Dzerzhinsky, do ta sillte më afër përmbushjes synimin e presidentit Vladimir Putin për ta marrë rajonin e Donbasit.

Rënia e Toretskut, sipas analistëve ushtarakë ukrainas, do t’ua mundësonte forcave ruse pengimin e rrugëve logjistike kyçe, që e lidhin pjesën e pasme operacionale të forcave ukrainase në zonë me zonën e luftimeve, përfshirë rrugën e rëndësishme, Pokrovsk – Kostyantynivka./Nacionale

Lajme të ngjashme