Ukraina thotë se do të zhvillojë bisedime me Poloninë pas eskalimit të përplasjes
Kievi ka thënë se do të zhvillojë bisedime me Varshavën ditëve të ardhshme për një mosmarrëveshje që ka eskaluar rreth eksportimit të drithit ukrainas dhe se fqinjët i kanë rikonfirmuar lidhjet “e ngushta”.
Polonia, e cila do të mbajë zgjedhje parlamentare muajin e ardhshëm, e ka zgjatur afatin e embargos ndaj drithit ukrainas, duke dalë kundër një vendimi të Bashkimit Evropian për t’u dhënë fund masave kufizuese, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministria e Bujqësisë e Ukrainës në një deklaratë tha: “Bisedimet e ardhshme do të zhvillohen ditëve në vijim, gjatë të cilave do të diskutohen çështjet e përgatitura nga të dyja palët.”
Në deklaratë thuhet se ministri i Bujqësisë i Ukrainës, Mykola Solsky, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun polak, Robert Telus.
“Ministrat e diskutuan situatën si dhe propozimin e Ukrainës për zgjidhjen e saj, dhe u pajtuan që të gjejnë një zgjidhje që i merr parasysh interesat e të dyja vendeve”- thuhet më tej në deklaratë. “Palët i konfirmuan marrëdhëniet e ngushta dhe konstruktive”- shtohet aty.
Ukraina ka paraqitur padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër tri fqinjeve të saj – Polonisë, Sllovakisë dhe Hungarisë – për shkak të ndalimit të eksporteve të saj në tregjet e këtyre vendeve.
Polonia mban zgjedhje parlamentare muajin e ardhshëm. Qeveria djathtiste e populiste gëzon përkrahje të fuqishme në rajonet bujqësore dhe e ka paraqitur vendimin kundër eksporteve ukrainase si masë mbrojtëse për bujqit polakë.
Më herët, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha se vendi i tij nuk do t’i dërgojë më armë Ukrainës me qëllim që të përqendrohet në armatimin e Polonisë, disa orë pasi Varshava e thirri në takim ambasadorin ukrainas për shkak të pakënaqësisë rreth komenteve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në OKB.

