Ukraina i padit Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë për ndalimin e eksporteve të saj
Ukraina ka paraqitur padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë rreth vendimeve të këtyre vendeve për ta ndaluar importimin e prodhimeve bujqësore nga Kievi.
Autoritetet ukrainase thanë se kjo është shkelje e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e fqinjëve të Ukrainës, ndërsa këto vende thonë se masat e tilla janë të nevojshme për t’i mbrojtur bujqit e tyre nga importet e lira, raporton televizioni BBC.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, tha se “është në mënyrë kritike e rëndësishme për ne që të dëshmojmë se shtetet individuale (të BE-së) nuk mund të ndalojnë importe të mallrave ukrainase”.
“Për këtë arsye, ne do të paraqesim padi kundër tyre (Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë) në Organizatën Botërore të Tregtisë”- shtoi ajo.
Sipas ministres Svyrydenko, eksportuesit ukrainas “tashmë kanë pësuar dhe po vazhdojnë të pësojnë humbje të konsiderueshme” për shkak të vendimeve të njëanshme për ndalimin e importeve nga Ukraina.
Polonia tha se do ta mbajë në fuqi këtë vendim. “Ne e mbajmë pozicionin tonë, mendojmë se ai është korrekt, ai rezulton nga një analizë ekonomike dhe kompetencat që dalin nga BE-ja dhe e drejta ndërkombëtare. Një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë nuk na lë përshtypje”- tha zëdhënësi qeveritar polak, Piotr Mueller.
Polonia, Hungaria dhe Sllovakia ende janë duke e lejuar kalimin transit të drithit Ukrainas për në tregje të tjera.
Polonia dhe Sllovakia janë aleatë të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, por mosmarrëveshja për tregtinë e drithit ka shkaktuar përçarje.
Ukraina është njëra nga eksportueset më të mëdha në botë të farave të lulediellit, grurit, elbit dhe misrit.