Polonia e ndalon importimin e drithit dhe shumë ushqimeve nga Ukraina
Qeveria polake ka vendosur që ta ndalojë importimin e drithit dhe ushqimeve të tjera nga Ukraina për ta mbrojtur sektorin vendës të bujqësisë, njoftoi të shtunën kryetari i partisë në pushtet, Jaroslaw Kaczynski.
Një sasi e madhe e drithit ukrainas, i cili është më i lirë se drithi i vendeve të BE-së, ka përfunduar në shtetet e Evropës Qendrore për shkak të pengesave logjistike, duke i goditur çmimet dhe shitjet e bujqve vendës, raporton agjencia “Reuters”.
Kjo ka krijuar një problem politik për partinë në pushtet në vitin kur pritet të mbahen zgjedhjet në Poloni.
“Sot, qeveria ka vendosur për një rregullore që e ndalon hyrjen, importimin e drithit në Poloni, por gjithashtu të dhjetëra llojeve të tjera të ushqimit (nga Ukraina)”- tha Kaczynski gjatë konventës së partisë PiS.
Ai shtoi se lista e këtyre prodhimeve do të përfshihet në rregulloret qeveritare dhe se në të përfshihen mallra “nga drithi te produktet e mjaltit, shumë, shumë gjëra”.
“Ne jemi dhe mbetemi miq dhe aleatë të pandryshuar të Ukrainës. Ne do ta përkrahim dhe e përkrahim atë… por është detyrë e secilit shtet, e secilit autoritet, autoritet të mirë në çfarëdo rasti, për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të vet”- tha Kaczynski.
Politikani polak tha se vendi i tij është i gatshëm që t’i fillojë bisedimet me Ukrainën për ta zgjidhur çështjen e drithit dhe se pala ukrainase tashmë është njoftuar për vendimet e qeverisë polake.


