Pas polakëve, edhe bujqit e Rumanisë kundër drithit ukrainas, e bllokojnë kufirin
Mijëra bujq protestuan në Rumani të premten kundër ndikimit të drithit të importuar nga Ukraina në çmimet e tregut vendës, duke i bllokuar rrugët dhe pikëkalimet kufitare me traktorë dhe duke i bërë thirrje Komisionit Evropian që të ndërhyjë.
Zemërimi i bujqve në pjesët qendrore dhe lindore të Evropës po shtohet nga importet e lira ukrainase të drithit, të cilat janë liruar nga taksat deri në qershorin e vitit 2024. Kjo situatë i ka dëmtuar çmimet dhe shitjet e kultivuesve vendës, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina është njëra ndër eksportueset më të mëdha të drithit në botë. Rrugët e eksportit përmes Detit të Ziu iu bllokuan nga lufta me Rusinë, por ky shtet ka gjetur rrugë alternative përmes shteteve të BE-së, Polonisë e Rumanisë, i ndihmuar nga “linjat e solidaritetit” që mbështeten nga BE-ja.
Megjithatë, miliona tonë drithë – më i lirë se ai që kultivohet në BE – kanë përfunduar në shtetet fqinje, të shtyrë nga pengesat logjistike dhe distanca më e afërt.
Ministri i Bujqësisë i Polonisë, Henryk Kowalczyk, dha dorëheqje nga detyra këtë javë. Edhe bujqit polakë e bullgarë kanë mbajtur protesta.
Në Bukuresht, rreth 200 bujq protestuan para selisë lokale të Komisionit Evropian, duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej: “Ne i respektuam rregullat e BE-së, por BE-ja na shpërfilli”, “Ju nuk mund të kaloni më këndej” dhe “Stabilitet për bujqit rumunë”.
Në pjesë të ndryshme të vendit, mijëra bujq përdorën traktorë dhe pajisje të tjera për t’i bllokuar rrugët dhe kufijtë.
“Po flasim për konkurrencë të padrejtë në komunitetin evropian. E di se kolegët tanë ukrainas gjithashtu kanë nevojë që të shesin, por kjo është konkurrencë e padrejtë, megjithatë”- tha Nicu Vasile, drejtor i lidhjes së shoqatave rumune të prodhuesve bujqësorë.
