Drithërat e Ukrainës shkaktojnë zemërim në BE, pesë kryeministra e përmendin kthimin e taksave - NACIONALE

Drithërat e Ukrainës shkaktojnë zemërim në BE, pesë kryeministra e përmendin kthimin e taksave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Poloni për një vizitë zyrtare në kryeqytetin e vendit fqinj, Varshavë, bëri të ditur një këshilltar presidencial polak të mërkurën. Megjithatë, jo të gjithë do ta mirëpresin mysafirin e njohur.

“Mund të them se presidenti Zelensky e ka kaluar kufirin polak”- tha këshilltari për politikë të jashtme i presidentit polak, Marcin Przydacz, për televizionin privat TVN24.

Shumica e polakëve i përkrahin ukrainasit në luftën e tyre kundër Rusisë. Sipas një ankete, 82 për qind e polakëve mendojnë se shtetet e BE-së dhe të NATO-s duhet ta përkrahin Ukrainën derisa të fitojë, raporton gazeta “The Guardian”.

Megjithatë, vizita e Zelenskyt po zhvillohet në kohën e zemërimit në zonat rurale të Polonisë për shkak të ndikimit të importimit të drithërave ukrainase, të cilat kanë shkaktuar ulje të çmimeve në disa shtete të pjesës lindore të BE-së.

“Gjatë bisedimeve me presidentin Zelensky, ne sigurisht se do të diskutojmë edhe për drithërat ukrainase dhe prodhimet e ndryshme bujqësore, sepse ne duam që asnjë tregti me Ukrainën të mos e destabilizojë tregun tonë”- tha kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Mund të paraqitet nevoja që taksat ndaj prodhimeve bujqësore ukrainase të rivendosen, nëse grumbulli i prodhimeve që po i ulin çmimet në tregjet e BE-së nuk mund të ndalen përmes mënyrave të tjera, thanë të premten kryeministrat e pesë shteteve lindore evropiane përmes një letre dërguar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Bujqit polakë kanë kërcënuar se do ta pengojnë vizitën e Zelenskyt në Varshavë për shkak të vërshimit të tregut të tyre nga drithërat ukrainase.

Si pjesë e një nisme të BE-së, të gjitha taksat dhe kuotat për eksportin e dridhërave ukrainase drejt 27 vendeve të BE-së janë hequr me qëllim të lehtësimit të transitit të prodhimeve përreth botës, përfshirë Afrikën.

Megjithatë, drithërat nuk kanë lëvizur nga disa shtete lindore të BE-së, përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe Rumaninë, duke shkaktuar ulje të çmimeve në këto vende, duke shkaktuar zemërim në komunitetin e bujqësisë.

Lajme të ngjashme