Eskalon përplasja pas padisë së Ukrainës, Polonia s’do t’i japë më armë
Njëra nga aleatët më të palëkundura të Ukrainës deri më tani, Polonia, ka njoftuar se nuk do ta furnizojë më këtë vend me armë. Kjo është lëvizja e re e eskalimit të mosmarrëveshjes për eksportimin e drithit.
Të martën, Polonia e thirri në takim ambasadorin e Ukrainës për komentet e bëra nga presidenti Volodymyr Zelensky në Kombet e Bashkuara, raporton televizioni BBC.
Ai tha se disa vende e kanë trilluar solidaritetin me Ukrainën. Varshava e quaji këtë koment “të pajustifikueshëm sa i përket Polonisë, e cila e ka përkrahur Ukrainën që nga ditët e para të luftës”.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, njoftoi për vendimin për të mos i dhënë armë më Ukrainës në një adresim televiziv të mërkurën pas një dite të eskalimit të shpejtë të tensioneve mes dy vendeve në lidhje me eksportimin e drithit.
“Ne nuk do të transferojmë më armë në Ukrainë, sepse tani do ta armatosim Poloninë me armë më moderne”- tha kryeministri polak.
Morawiecki shtoi se do të rritet numri i prodhimeve të ndaluara për import nga Ukraina, nëse Kievi e eskalon mosmarrëveshjen. Ministria e Jashtme e Polonisë tha se “vendosja e presionit ndaj Polonisë në forume shumëpalëshe ose dërgimi i ankesave në gjykata ndërkombëtare nuk janë metoda të duhura për t’i zgjidhur dallimet mes vendeve tona”.
Këtë javë, Ukraina paraqiti padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Polonisë dhe disa shteteve të tjera evropiane për shkak të ndalimit të importimit të drithit të saj, duke thënë se kjo masë është shkelje e detyrimeve ndërkombëtare.
Mosmarrëveshja për drithin filloi pas bllokimit të porteve detare të Ukrainës me rastin e nisjes së pushtimit nga Rusia, duke e detyruar Kievin që të kërkonte rrugë alternative për eksportimin e mallrave të saj.
