Ukraina thotë ka goditur dy fabrika ruse të aeroplanëve në Ulyanovsk dhe Novgorod - NACIONALE

Ukraina thotë ka goditur dy fabrika ruse të aeroplanëve në Ulyanovsk dhe Novgorod

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase goditi dy fabrika ruse që prodhojnë dhe riparonin aeroplanë transportues ushtarak dhe aeroplanë mallrash në rajonet Ulyanovsk dhe Novgorod, tha të mërkurën Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Në një deklaratë, Shtabi i Përgjithshëm tha se sulmi ndaj fabrikës “Aviastar”, pjesë e Korporatës së Bashkuar të Aeroplanëve të Rusisë, në qytetin Ulyanovsk, u krye më 16 mars, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në këtë fabrikë prodhohen aeroplanë transportues ushtarakë të tipit “Ilyushin-76MD-90A”, aeroplanë për rimbushje të tipit “Ilyushin-78M-90A” dhe ofrohet mirëmbajtje për aeroplanët e mallrave të tipit “Ruslan”. Fabrika ndodhet rreth 800 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ushtria ukrainase tha se i goditi hangarët dhe zonat e parkingut dhe se disa prej aeroplanëve u dëmtuan.

Sulmi ndaj fabrikës së 123-të për mirëmbajtjen e aeroplanëve në qytetin Staraya Russia në rajonin e Novgorodit ndodhi një ditë më pas, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Telegram”, Shtabi i Përgjithshëm tha se kjo qendër ofronte cikël të plotë të riparimeve dhe modernizimit për aeroplanët e rëndë transportues, përfshirë ata të tipave “Ilyushin-76”, “Ilyushin-78” dhe “L-410”.

Ushtria ukrainase tha se është goditur një hangar që përdorej për servisimin e aeroplanëve transportues “Ilyushin-76” dhe “L-410”. Agjencia “Reuters” nuk arriti që ta vërtetonte raportin në mënyrë të pavarur.

“Goditja e caqeve të tilla drejtpërdrejt e zvogëlon aftësinë e armikut për t’i rikthyer dhe mbajtur aeroplanët që janë të gatshëm për luftime” – thanë në rrjetin X forcat ukrainase të dronëve./Nacionale

Lajme të ngjashme