Ukraina po zhvillon kundërsulme ndaj rusëve, pretendon për sukses
Ushtria ukrainase ka thënë se e ka thyer vijën e parë të mbrojtjes të forcave ruse në rajonin Kherson, që kontrollohet nga pushtuesit, përderisa po zhvillohet një kundërsulm. Qëllimi i kundërsulmit është që rusëve në jug t’u shkëputet kontakti me rrugët kryesore të furnizimit.
Administrata ushtarake ukrainase në Kherson pretendon se sulmet me saktësi të lartë po ia mundësojnë ushtrisë ukrainase që t’i shkatërrojnë depot dhe pikat e kontrollit të rusëve.
Justin Bronk, hulumtues në Institutin e Bashkuar Mbretëror të Shërbimeve (RUSI), pretendoi se këto sulme po i ndihmojnë Ukrainës që t’i shkëpusë linjat e furnizimit të Rusisë.
Në anën tjetër, kreu i administratës së përkrahur nga Rusia në rajonin Kherson, Vladimir Leontiev, tha se situata në zonë ka qenë e tensionuar dhe se atje kanë ndodhur rreth 15 sulme me raketa në dy ditët e fundit.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass, Leontiev-i citohet të ketë thënë: “Këto nuk janë sulme të vetme, por një varg sulmesh, aq shumë, saqë ndoshta mund të themi se deri në 100 raketa gjithsej e kanë goditur qytetin.”
Një burim ushtarak ukrainas i tha televizionit CNN të hënën se ushtria ukrainase ka marrë nën kontroll katër fshatra afër qytetit Kherson, të cilat ishin në duart e rusëve.
Moska të hënën e pranoi zhvillimin e operacionit ukrainas në jug të vendit, por tha se ushtarët e Ukrainës kanë pësuar humbje të rënda dhe “kanë dështuar në mënyrë të tmerrshme” në “tentativën” e tyre për ofensivë.
Marrja e Kherson-it nga rusët do të jetë sfidë e madhe për Ukrainën, raporton gazetari i BBC-së, Frank Gardner.
Qyteti jugor me rreth 280.000 banorë ishte kapur nga forcat pushtuese në fillim të luftës me pak rezistencë, prandaj rusët kishin kohë me muaj që të sillnin përforcime dhe të përgatiteshin për kundërsulmet e mundshme të ukrainasve.
Që nga fillimi i luftës në shkurt, Ukraina ka luftuar pothuajse gjithmonë në beteja mbrojtëse, duke vendosur rezistencë të fortë para forcave pushtuese. Forcat ukrainase kanë pasur pak përvojë në operacione sulmuese, që përgjithësisht kërkojnë një grumbull tjetër të shkathtësive, përparësi në numra dhe rezerva të mëdha municioni e ushtarësh.
Ndërkohë në bazë të pamjeve satelitore të kompanisë “Maxar Technologies”, në kulmin e një ndërtese të centralit bërthamor në Zaporizhia vërehen katër vrima.
Udhëheqësi i vendosur nga rusët në atë rajon, Vladimir Rogov, pretendoi se vrimat janë rezultat i sulmit të forcave ukrainase ndaj kompleksit të centralit më të madh bërthamor në Evropë.
Qeveria ukrainase vazhdimisht ka mohuar se ushtria e saj ka kryer sulme në central ose përreth tij në javët e fundit./Nacionale

