Ukraina paralajmëron se nuk do të njohë asnjë marrëveshje nga bisedimet në të cilat s'është palë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në një takim mes zyrtarëve amerikanë e rusë në Arabinë Saudite të martën.
“Ukraina konsideron çfarëdo negociate për Ukrainën pa Ukrainën si të atillë që nuk ka rezultat dhe ne nuk mund të njohim… marrëveshje për ne pa ne” – tha Zelensky para gazetarëve gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton televizioni BBC.
Zelensky tha se për vizitën e tij në Emiratet e Bashkuara dhe në Arabinë Saudite kishte marrëveshje paraprakisht, duke lënë të kuptohej se këto vizita nuk ishin të lidhura me bisedimet mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet mes zyrtarëve amerikanë e rusë do të përqendrohen “kryesisht në rivendosjen e spektrit të plotë të marrëdhënieve Rusi – ShBA”.
Me fjalë të tjera, sipas redaktorit të BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg, në krye të agjendës do të jenë marrëdhëniet dypalëshe. Më pas vijnë “përgatitjet për bisedime të mundshme rreth Ukrainës” dhe për një takim mes dy presidentëve, Donald Trump e Vladimir Putin.