Ukraina në krizë për ushtarë? Ulet mosha e rekrutimit, të liruarit në rivlerësim mjekësor - NACIONALE

Ukraina në krizë për ushtarë? Ulet mosha e rekrutimit, të liruarit në rivlerësim mjekësor

8 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një ligj për uljen e moshës së rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 vjet, masë që do të duhej ta ndihmonte Ukrainën që të sigurojë më shumë fuqi luftarake në luftën e saj kundër Rusisë.

Ligji i ri e rrit numrin e civilëve që ushtria mund t’i mobilizojë në rangjet e veta për të luftuar sipas ligjit të ri të luftës, që ka qenë në fuqi që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, në shkurt të vitit 2022, raporton gazeta “The Guardian”.

Projektligji tashmë i shndërruar në ligj kishte qenë në tavolinën e Zelenskyt që nga miratimi prej ligjvënësve në maj të vitit 2023 dhe nuk qe menjëherë e qartë se çfarë e nxiti presidentin për ta nënshkruar atë. Kuvendi ka qenë duke diskutuar me muaj një projektligj tjetër për t’i ashpërsuar gjerësisht rregullat e rekrutimit.

Zelensky nënshkroi një ligj tjetër me të cilin kërkohet nënshtrim ndaj rivlerësimit mjekësor për burrat që u është dhënë leje për të mos shërbyer në ushtri për shkak të ndonjë aftësie të kufizuar.

Përmes një projektligji tjetër që u nënshkrua nga presidenti synohet themelimi i një baze të të dhënave në internet për personat që i plotësojnë kushtet për shërbim ushtarak. Të dyja këto ligje mund ta ndihmojnë ushtrinë që të rekrutojë më shumë luftëtarë.

Trupat ukrainase ballafaqohen me sfida në fushën e betejës, pasi kanë mungesë të furnizimit me municion, ndërsa fonde jetike janë bllokuar nga republikanët me muaj në Kongresin e ShBA-së. Bashkimi Evropian ka dështuar që t’ia dhurojë me kohë Ukrainës municionin e premtuar.

Nënshkrimi i legjislacionit rreth moshës së rekrutimit nuk u njoftua menjëherë nga zyra e presidentit. Kuvendi thjesht e përditësoi linkun e ligjit në uebfaqen e vet, duke shkruar “i rikthyer me nënshkrimin e presidentit të Ukrainës”.

Zelensky kishte thënë në fund të vitit të kaluar se do ta nënshkruante projektligjin, vetëm nëse do t’i jepej një argument mjaftueshëm i fuqishëm për ta bërë këtë.

Presidenti ukrainas tha në dhjetor se ushtria e kishte propozuar mobilizimin e deri 500 mijë ukrainasve në forca të armatosura, diçka që Zelensky kishte thënë se ishte kërkuar nga komandanti i ushtrisë.

Nga ajo kohë, Ukraina e ka ndërruar komandantin e ushtrisë dhe udhëheqësi i ri, Oleksandr Syrskyi, tha javën e kaluar se shifra nuk ishte më e përditësuar dhe se ajo është “zvogëluar në masë të konsiderueshme” pas një rishikimi të burimeve.

Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të planifikojë një ofensivë tjetër në muajt e ardhshëm dhe se trupat ukrainase i kanë shtuar përpjekjet për të ndërtuar fortifikata të fuqishme të mbrojtjes përgjatë vijës së gjatë të frontit.

Pas tejkalimit të shokut fillestar të pushtimit, Ukraina është ballafaquar me zvogëlim të konsiderueshëm të numrit të luftëtarëve vullnetarë dhe është raportuar për shumë raste të shmangies së rekrutimit./Nacionale

Lajme të ngjashme