Ukraina e Izraeli e përçajnë ShBA-në: Bideni kërcënon me veto, opozita e akuzon për tradhti
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha të hënën se ai do ta përdorte veton kundër një projektligji të përkrahur nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, me të cilin do të ndaheshin ndihma për Izraelin, përderisa Shtëpia e Bardhë po bën thirrje për ndarjen e ndihmave për Ukrainën e Izraelin si dhe për fonde të reja për sigurinë kufitare.
“Administrata i inkurajon fuqishëm të dyja dhomat e Kongresit që ta refuzojnë këtë dredhi politike dhe, në vend të saj, ta dërgojnë shpejt Aktin e Ndarjeve Buxhetore Plotësuese Urgjente të Sigurisë Kombëtare në tavolinën e presidentit” – thuhet në një deklaratë të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtarë të administratës së presidentit demokrat kanë qenë duke punuar me muaj me anëtarë demokratë dhe republikanë të Senatit për legjislacionin e zbuluar të dielën, në të cilin përfshihen një rishikim i politikës amerikane ndaj emigrantëve dhe fonde të reja për sigurinë kufitare, ndërsa ndahen miliarda dollarë ndihma për Ukrainën, Izraelin e për partnerë të tjerë në rajonin e Indo-Paqësorit.
Në masën shpenzuese prej 118 miliardë dollarësh do të përfshihej edhe asistenca humanitare për civilët e prekur nga konfliktet globale.
“Administrata e kundërshton fuqishëm këtë dredhi, e cila nuk bën asgjë për ta siguruar kufirin, nuk bën asgjë për t’i ndihmuar njerëzit e Ukrainës që ta mbrojnë veten kundër agresionit të Putinit, që dështon ta përkrahë sigurinë e sinagogave, xhamive amerikane e vendeve të brishta të adhurimit, dhe që ua mohon asistencën humanitare civilëve palestinezë, shumica e të cilëve janë gra e fëmijë” – thuhet në deklaratë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane në opozitë, njoftoi të shtunën se ky institucion do ta kundërshtonte projektligjin dypartiak të Senatit dhe, në vend të tij, do të votonte këtë javë për një masë që i ofron ndihmë vetëm Izraelit.
“Kërcënimi i presidentit me veto është një akt tradhtie. Duke kërcënuar se do ta përdorë veton kundër ndihmës ndaj Izraelit dhe ndaj forcave tona ushtarake, presidenti Biden po e braktis aleatin tonë në kohën kur ai ka më së shumti nevojë” – tha Johnsoni në një deklaratë të publikuar të hënën në mbrëmje.
Republikanët janë përçarë për këtë legjislacion. Ish-presidenti Donald Trump, favorit për ta siguruar nominimin e partisë së vet për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, dhe aleatët e tij më të ngushtë po shprehin kundërshtim në mënyrë të zëshme, duke e cilësuar planin e Senatit si të pamjaftueshëm.
Trumpi e ka bërë sigurinë në kufirin me Meksikën temë të rëndësishme gjatë fushatës së tij kundër Bidenit para zgjedhjeve të nëntorit.
Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicën e ka Partia Republikane, në nëntor miratoi një projektligj me të cilin do t’i ndaheshin ndihma vetëm Izraelit, por kjo masë nuk u shqyrtua asnjëherë nga Senati, përderisa negociatorët punonin rreth kërkesës së Bidenit që Kongresi të miratonte një pako më të gjerë urgjente të sigurisë./Nacionale