Ukraina e gatshme për ta furnizuar Sirinë me ushqim pas pezullimit të dërgesave nga Rusia
Ukraina, kultivuese dhe eksportuese globale e drithit, është e gatshme për ta furnizuar Sirinë me ushqim pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, i tha të premten agjencisë së lajmeve “Reuters” ministri i Bujqësisë i Ukrainës, Vitaliy Koval.
Burime ruse e siriane thanë më herët se dërgesat ruse të grurit për në Siri janë pezulluar për shkak të paqartësisë rreth pushtetit të ri dhe vonesës së dërgesave.
Siria importonte ushqim nga Rusia gjatë epokës së Assadit dhe është e paqartë se çfarë forme do të marrin marrëdhëniet mes Damaskut e Moskës nën udhëheqjen e re siriane, raporton agjencia “Reuters”.
“Atje ku është vështirë [situata], ne duhet të jemi aty me ushqimin tonë. Jemi të hapur për ofrimin e ushqimit tonë dhe nëse Sirisë i nevojitet ushqim, atëherë ne jemi aty” – i tha ministri ukrainas agjencisë “Reuters”.
Eksportet ukrainase u goditën nga pushtimi rus që nisi më 2022 dhe i zvogëloi në masë të madhe dërgesat përmes Detit të Zi. Sidoqoftë, Ukraina tashmë de fakto e ka thyer bllokadën detare dhe i ka ringjallur eksportet në portet e saj jugore në Odesa.
Ukraina tradicionalisht eksporton grurë dhe misër në shtete të Lindjes së Mesme, por jo në Siri.
Tregtarët thonë se vetëm rreth 6 mijë tonë misër ukrainas ka arritur në tregun sirian në periudhën 2023-2024, nga sasia e përgjithshme e misrit të eksportuar prej 29,4 milionë tonësh.
Sidoqoftë, pjesë të vogla të drithit me prejardhje nga Ukraina mund të kenë arritur në Siri nga vendet fqinje, por që nuk janë kapur nga këto statistika, thanë analistët.
Që nga rënia e Assadit, aleat i ngushtë i Rusisë, Kievi e ka shprehur dëshirën për t’i rivendosur marrëdhëniet me Sirinë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se Kievi është i gatshëm “për ta shtruar rrugën për restaurimin e marrëdhënieve në të ardhmen dhe e ripohojmë përkrahjen tonë për popullin sirian”./Nacionale