Udhëheqësit e Grupit G7 në takim virtual me Zelenskin për t’ia shprehur përkrahjen - NACIONALE

Udhëheqësit e Grupit G7 në takim virtual me Zelenskin për t’ia shprehur përkrahjen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Japonia tha të mërkurën se udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 do të zhvillojnë po këtë ditë një takim virtual me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si shfaqje e përkrahjes për luftën e vendit të tij kundër Rusisë.

“Do të donim të bëjmë të qartë se ne qëndrojmë me Ukrianën si G7”- tha një zyrtar qeveritar japonez, duke shtuar se kjo porosi do të përforcohet në kohën e shqetësimit se fokusi i komunitetit ndërkombëtar mund të largohet nga Ukraina e të vendoset te konflikti mes Izraelit e Hamasit, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtari japonez, që refuzoi të identifikohej, tha se Grupi G7 do ta përsërisë zotimin e vet për t’i vendosur sanksione të fuqishme Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, por se po bisedohet për hollësitë. Japonezi nuk dha hollësi të tjera.

Vendet e Grupit G7 – Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia – si dhe Bashkimi Evropian u zotuan në maj se do t’i kufizonin eksportet e tyre në Rusi që do të mund ta financonin luftën e këtij shteti në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar atë muaj thuhej se në mesin e kufizimeve përfshiheshin eksportet e makinerive industriale, pajisjeve e teknologjisë si dhe do të bëheshin përpjekje për t’i kufizuar të hyrat e Rusisë nga tregtia me metale dhe diamante.

Sekretari i kabinetit qeveritar të Japonisë, Hirokazu Matsuno, tha në një konferencë për gazetarë të mërkurën se Grupi G7 do të diskutojë edhe për Lindjen e Mesme dhe inteligjencën artificiale.

Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët se takimi do të zhvillohet në orën 15 e 30 minuta sipas zonës kohore të Kosovës dhe do të jetë i mbyllur për media.

Lajme të ngjashme