Eskalon përçarja, Zelensky e anulon adresimin në Kongresin e ShBA-së shkaku i bllokimit të fondeve - NACIONALE

Eskalon përçarja, Zelensky e anulon adresimin në Kongresin e ShBA-së shkaku i bllokimit të fondeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka anuluar një konferencë të profilit të lartë me ligjvënës amerikanë në kohën e një ngërçi rreth fondeve të ardhshme të ShBA-së për vendin e tij.

Paraqitja e tij para anëtarëve të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve ishte planifikuar për të martën, por u anulua në momentin e fundit, raporton televizioni BBC.

Ky veprim erdhi pas paralajmërimit të një zyrtari të lartë ukrainas se Ukraina është në rrezikta humbë luftën me Rusinë, nëse nuk miratohen më shumë ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi i Senatit, Chuck Schumer, nuk shpjegoi pse Zelensky nuk do të marrë pjesë në adresimin para ligjvënësve amerikanë.

Ai tha se presidenti ukrainas ishte i zënë me një çështje “të minutës së fundit”, pa dhënë hollësi të mëtejme.

Shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, tha më herët të martën se ekziston një “rrezik i madh” për humbjen e Ukrainës pa përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-së.

“Do të jetë vështirë që të mbahemi në pozicionet e njëjta dhe që populli vërtet të mbijetojë”- shtoi ai në një fjalim në Institutin e Paqes në Uashington.

Vlerësimi i llahtarshëm i këtij zyrtari ukrainas u dha vetëm disa orë para se Zelensky ta anulonte video-adresimin me senatorët amerikanë për t’i informuar ata rreth përpjekjeve në luftë.

Ambasada e Ukrainës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje të BBC-së për shpjegim të mëtejshëm të anulimit të kësaj ngjarjeje.

Shtëpia e Bardhë bëri përsëri thirrje rishtazi për përkrahje shtesë për Ukrainën, por Kongresi ende nuk është afër marrëveshjes për kompromis për një pako të shpenzimeve, me të cilën do të ndihmohej lufta e Ukrainës.

“Jemi pa para – dhe gati pa kohë”- shkroi Shalanda Young, drejtoreshë për buxhet në Shtëpinë e Bardhë, në një letër dërguar udhëheqësve demokratë e republikanë të hënën.

Ajo paralajmëroi se dështimi i Kongresit për të miratuar më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën para fundit të vitit do të ishte “goditje në gju” për vendin në luftën kundër Rusisë.

Megjithatë, të hënën, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë, u duk shpërfillës ndaj apeleve të fundit për të miratuar miliarda dollarë shtesë për ndihma të reja.

“Administrata e Bidenit ka dështuar që të adresojë në mënyrë substanciale ndonjërin nga shqetësimet e mia legjitime të konferencës për mungesën e një strategjie të qartë në Ukrainë, një rrugë për zgjidhjen e konfliktit ose një plan për sigurimin e llogaridhënies në mënyrë të duhur për ndihmën e ofruar nga taksapaguesit amerikanë”- shkroi ai në rrjete sociale.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme