Analizë nga CNN: Basti i zymtë i Putinit për luftën në Ukrainë po duket gjithnjë më i mirë
Basti i zymtë i presidentit rus, Vladimir Putin, se Amerika dhe Perëndimi do të lodhen nga lufta e tij brutale para se të lodhet ai, po duket gjithnjë më i mirë.
Stephen Collinson, CNN
Gati shtatë javë pas kërkesës së presidentit Joe Biden ndaj Kongresit për 60 miliardë dollarë për t’i fuqizuar armatimin dhe municionin e Ukrainës – bashkë me 14 miliardë dollarë të tjerë për Izraelin – asgjë nuk ka ndodhur. Si goditje e rëndë ndaj të ardhmes së saj, ndihma për Ukrainën tash është ngatërruar nga republikanët në një ngatërresë të ndarë për emigrantët. Ngërçi, bashkë me mundësinë në tkurrje që Kongresi të veprojë para festave, nxitën paralajmërime domethënëse nga Shtëpia e Bardhë të hënën që lajmëroi një moment kritikë në luftë.
“Po mbetemi pa parë dhe gati na është harxhuar koha”- tha para gazetarëve këshilltari i Bidenit për siguri kombëtare, Jake Sullivan. Ashpërsimi i retorikës së administratës la të kuptohej se cilido ligjvënës që i kundërshton fondet është në anën e presidentit rus. “Një votë kundër mbështetjes së Ukrainës është një votë për ta përmirësuar pozicionin strategjik të Putinit”- shtoi ai.
Komentet e Sullivanit erdhën pasi drejtoresha e Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, Shalanda Young, e paralajmëroi përmes një letre kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, se “ndërprerja e rrjedhës së armëve dhe pajisjeve amerikane do të jetë goditje në gju për Ukrainën në fushën e betejës, jo vetëm duke i vënë në rrezik fioret që i ka shënuar Ukraina, por duke e shtuar gjasën për fitore ushtarake ruse”.
Edhe ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë që të mos e braktisin vendin e saj. “Pasi ne kemi fituar kaq shumë, nuk mund ta humbim këtë tani. Të gjithë po lutemi dhe po shpresojmë për përkrahje shtesë nga populli amerikan”- i tha ajo televizionit CNN.
Toni alarmist e ngriti pyetjen nëse zemërimi i administratës është taktikë politike për ta shtyrë Kongresin drejt veprimit apo kjo e pasqyron shqetësimin e sinqertë se gypi amerikan i ndihmës ushtarake që po e mban rezistencën e Ukrainës është vërtet në rrezik. Duke e marrë parasysh dështimin e Kongresit dhe, sidomos nga shumica kaotike e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, për t’i përmbushur edhe detyrat më themelore të qeverisë, ankthi që po rrëshqet drejt panikut mund të justifikohet në Krahun Perëndimor [Shtëpinë e Bardhë].
Ngritja e dyshimeve rreth përkushtimit të ShBA-së qëllon në kohen e një shenje dimri në të cilin Rusia pritet t’i shënjestrojë përsëri civilët ukrainas dhe objektet energjetike që i mbajnë ngrohtë ata. Ka shenja të reja që Moska ka qenë në gjendje që të rindërtojë një rimbëkëmbje në forcat dhe armatimet e saj të varfëruara dhe është duke dislokuar raketa e dronë të rinj nga aleatë si Koreja Veriore e Irani. Lufta e Izraelit ndaj Hamasit, në ndërkohë, e ka lënë nën hije Ukrainën javëve të fundit – situatë për të cilën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy, ka shprehur shqetësim publikisht ditëve të fundit.
Përderisa në pyetje është mbijetesa e Ukrainës, njësoj është edhe reputacioni i Shteteve të Bashkuara si udhëheqëse globale. Vetëm para dy javëve, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, udhëtoi në Kiev dhe i tha Zelenskyt publikisht: “Ne do të mbetemi me ju në rrafsh afatgjatë.” Sidoqoftë, a mund ta nderojë vërtet ShBA-ja këtë zotim, edhe në aspektin afatshkurtër për financimin e luftës së Ukrainës dhe duke e marrë parasysh mundësinë që ish-presidenti Donald Trump, që është armiqësor ndaj Ukrainës dhe gjithmonë shpreh favore ndaj Putinit, ka gjasë të mirë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, nëse ai e fiton nominimin e Partisë Republikane vitin e ardhshëm?
Ideja që Uashingtoni do të braktiste një vend demokratik e sovran që po lufton kundër një pushtimi të komplotuar nga Kremlini dikur do të kishte qenë e paimagjinueshme. Një lëvizje e tillë jo vetëm që do ta thyente vendosmërinë perëndimore në Ukrainë; ajo do të mund t’u dërgonte një sinjal armiqve si Rusia e Kina se garancitë amerikane të sigurisë për aleatët nuk nënkuptojnë asgjë tjetër. Megjithatë, ndryshimi në pikëpamjen e Partisë Republikane – larg rrënjëve të saj internacionaliste e drejt një qëndrimi izolacionist “Amerika së Pari”, që favorizohet nga Trumpi – i ka ndryshuar supozimet për fuqinë e ShBA-së. Forcat politike që do të mund ta riformësonin botën në mandatin e dytë të Trumpit tashmë janë në lojë në Uashington, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe po rrezikojnë që ta transformojnë politikën e jashtme të ShBA-së.
Për ta lexuar artikullin e plotë në gjuhën angleze, klikoni KËTU.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

