A po e çan izolimin ndërkombëtar: Putini viziton të mërkurën dy shtete të rëndësishme
Presidenti rus, Vladimir Putin, duket se po arrin që ngadalë të dalë nga izolimi ndërkombëtar. Ai të mërkurën do të zhvillojë vizita pune në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabi Saudite, ndërsa të enjten do ta presë në Moskë homologun iranian, tha zëdhënësi i Kremlinit.
Kur u pyet nëse Putini gjatë udhëtimit në Lindje të Mesme do të diskutojë për veprime të mundshme të bashkërenduara për tregjet globale të naftës, zëdhënësi Dmitry Peskov tha se bisedime të tilla janë zhvilluar brenda grupit OPEC+, por se kjo çështje është gjithmonë në agjendë, raporton agjencia “Reuters”.
Vizita e Putinit vjen pas marrëveshjes së vendeve të OPEC-ut të enjten e kaluar për zvogëlim vullnetar të prodhimit të naftës për rreth 2,2 milionë fuçi në ditë, veprim që u prit me skepticizëm në tregun e naftës.
Planet për vizitat e Putinit në këto dy shtete u zbuluan fillimisht të hënën nga uebfaqja e lajmeve, “SHOT”.
Kjo uebfaqe e citoi ndihmësin e Kremlinit për politikë të jashtme, Yury Ushakov, të ketë thënë se Putini së pari do të shkojë në Emirate të Bashkuara, pastaj në Arabi Saudite, ku bisedimet do të zhvillohen kryesisht me princin Mohammed bin Salman.
Putini ka udhëtuar rrallë jashtë vendit viteve të fundit dhe, edhe kur ka udhëtuar, këtë e ka bërë kryesisht në vendet që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Udhëtimi i tij i fundit jashtë vendit ishte në tetor – në Kinë.
