Putini urdhëron që ushtrisë ruse t’i shtohen edhe gati 170.000 ushtarë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar ushtrinë e vendit të vet që ta rrisë numrin e trupave për gati 170 mijë, duke e çuar në gjithsej 1 milion e 320 mijë, përderisa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon në muajin e 22-të.
Dekreti i Putinit u publikua nga Kremlini të premten dhe hyri në fuqi menjëherë. Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i personelit ushtarak shkon në rreth 2,2 milionë, përfshirë 1 milion e 320 mijë ushtarë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ky është zgjerimi i dytë i tillë i ushtrisë nga viti 2018. Shtimi i kaluar prej 137 mijë trupash ishte urdhëruar nga Putini në gusht të vitit 2022 dhe e kishte çuar në rreth 1 milion e 115 mijë numrin e përgjithshëm të ushtarëve.
Ministria e Mbrojtjes tha se ky urdhër nuk përfshin ndonjë “zgjerim domethënës të rekrutimit”, duke thënë në një deklaratë se rritja do të bëhet në mënyrë graduale përmes rekrutimit të më shumë vullnetarëve. Si arsye për rritjen e numrit të ushtarëve u përmendën “operacioni special ushtarak” në Ukrainë dhe zgjerimi i NATO-s.
Kjo ministri shtoi se rritja e numrit të trupave është kundërpërgjigje e duhur ndaj “aktiviteteve agresive të bllokut të NATO-s”.
Dhjetorin e kaluar, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, deklaroi se vendi i tij ka nevojë për një forcë ushtarake prej 1,5 milion ushtarësh “për ta garantuar përmbushjen e detyrave për garantimin e sigurisë së Rusisë”. Ai nuk tregoi se kur do të arrihej kjo shifër.
Në të kaluarën, Kremlini e ka cilësuar si të mjaftueshëm numrin e ushtarëve, por përllogaritjet ndryshuan pas thyerjes së shpresës për një fitore të shpejtë kundër Ukrainës për shkak të rezistencës së ashpër të forcave ukrainase.
Përderisa lufta po vazhdon, numrat e ushtarëve të vrarë rusë e ukrainas mbeten të paqartë. Ushtria ruse ka konfirmuar vetëm pak më shumë se gjashtë mijë të vrarë, por vendet perëndimore vlerësojnë se shifra është shumë më e lartë.

