Zyrtari amerikan: Putini s’do të bëjë paqe në Ukrainë para zgjedhjeve në ShBA - NACIONALE

Zyrtari amerikan: Putini s’do të bëjë paqe në Ukrainë para zgjedhjeve në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të bëjë paqe në Ukrainë para se ta dijë rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, që do të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm, tha të martën një zyrtar i Departamentit të Shtetit, në kohën e shqetësimeve se fitorja e mundshme e ish-presidentit Donald Trump mund ta përmbysë përkrahjen perëndimore për Kievin.

Trumpi, që po e synon Shtëpinë e Bardhë përsëri, është kandidat favorit brenda Partisë Republikane për t’u nominuar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ai ka shprehur kritika të ashpra ndaj përkrahjes së ShBA-së për Ukrainën, raporton agjencia “Reuters”.

Një zyrtar amerikan, që bisedoi me gazetarë pas një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel, tha se aleanca e përsëriti përkrahjen për Ukrainën, duke ditur se ka pak gjasa për njër marrëveshje të paqes vitin e ardhshëm.

“Pritja ime është që Putini nuk do të bëjë paqe ose paqe domethënëse para se ta shohë rezultatin e zgjedhjeve tona”- tha zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për t’i diskutuar rezultatet e takimit.

Kur u pyet nëse po e shprehte mendimin personal ose pikëpamjen e qeverisë amerikane, zyrtari tha se kjo është “premisë e ndarë gjerësisht”.

“Ky ishte konteksti në të cilin të gjithë aleatët shprehën përkrahje të fuqishme për Ukrainën” në takimin e NATO-s të martën, shtoi zyrtari, pa e përmendur Trumpin me emër ose pa thënë haptazi se si rezultati i zgjedhjeve në ShBA do ta prekte mbështetjen për Ukrainën.

Bideni i ka ofruar mbështetje masive ushtarake e të formave të tjera Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt të vitit 2022, por fondet shtesë për Kievin janë duke u mbajtur pezull nga Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së, e cila kontrollohet nga Partia Republikane në opozitë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, këtë muaj e ftoi Trumpin që ta vizitojë Ukrainën për ta parë vetë nivelin e shkatërrimit nga konflikti. Trumpi ka thënë se mund t’i japë fund luftës për 24 orë, nëse zgjidhet president.

Lajme të ngjashme